Nënkryetarja e Degës së LDK-së në Obiliq, Linda Bekteshi e ka zyrtarizuar kandidaturën e saj për deputete nga kjo parti në zgjedhjet e 9 shkurti.
Bekteshi përmes një postimi në rrjetin social facebook, thotë se Lidhja Demokratike e Kosovës, i bëri nderin jetësor duke e nominuar si kandidate për deputete nga dega e Obliqit për zgjedhjet e ardhshme nacionale.
Tutje ajo thotë se së bashku mund ta krijojmë një të ardhme ku çdo qytetarë e ka mundësinë të lulëzojë.
“Faleminderit për besimin tuaj! Nominimin unë e lexoj si përgjegjësi, prandaj premtoj se do të punoj pa u lodhur, me integritet dhe pasion, për t’ju shërbyer të gjithëve me të gjitha mundësitë e mia”, ka shkruar ajo.
Postimi i plotë:
Të dashur qytetarë!
Dje, Lidhja Demokratike e Kosovës më bëri nderin jetësor, duke më nominuar kandidate për deputete nga Dega e Obiliqit për zgjedhjet e ardhshme nacionale. Ky moment nuk është vetëm arritje e jashtëzakonshme personale, një ëndërr e realizuar, por edhe një reflektim i besimit që ju ma keni dhënë për t’i përfaqësuar zërat dhe aspiratat tuaja në nivel kombëtar.
Shpreh mirënjohjen dhe respektin tim të thellë ndaj kryetarit të LDK-së, dr. Abdixhikut, kryetarit të Degës, z. Gashi, strukturës së LDK-së dhe anëtarëve të saj të devotshëm.
Mirëqenia e qytetarit, ruajtja, kultivimi dhe thellimi vlerave tona të përbashkëta dhe e ardhmja e fëmijëve tanë janë në qendër të gjithçkaje që unë synoj të arrij.
Gjithë këto vite pune e angazhimi unë i kam dëgjuar shqetësimet tuaja, kam ndarë shpresat tuaja dhe i kam kuptuar betejat tuaja. Është e qartë për mua se rruga përpara duhet të jetë ajo e përparimit, unitetit dhe drejtësisë për të gjithë.
Së bashku, ne do t’i adresojmë sfidat që na presin: krijimin e mundësive më të mëdha për punë, përmirësimin e arsimit, sigurimin e kujdesit shëndetësor për çdo qytetar, mbrojtjen e mjedisit tonë dhe forcimin e vlerave që e bëjnë vendin tonë të madh. Unë jam e përkushtuar të punoj pa u lodhur për të krijuar politika që pasqyrojnë nevojat dhe dëshirat e popullit tonë, jo vetëm sot, por edhe për brezat që do të vijnë.
Por këtë nuk mund ta bëj vetëm. Kam nevojë për mbështetjen tuaj, zërin dhe besimin tuaj. Së bashku, ne mund të krijojmë një të ardhme ku çdo qytetar ka mundësinë të lulëzojë. Le të qëndrojmë të bashkuar në misionin tonë për të ndërtuar një shoqëri më të mirë, më të fortë dhe më të begatë.
Faleminderit për besimin tuaj! Nominimin unë e lexoj si përgjegjësi, prandaj premtoj se do të punoj pa u lodhur, me integritet dhe pasion, për t’ju shërbyer të gjithëve me të gjitha mundësitë e mia.
Le të ecim përpara, së bashku.