Pas dështimit të 45-të me radhë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka deklaruar se do të vazhdojnë përpjekjet për të gjetur një zgjidhje për ngërçin politik dhe ka paralajmëruar një takim të mundshëm me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, javën e ardhshme.
“Kena me vazhdu me pas takime, kryeministrin nëse nuk gaboj është në Bosnjë, kam ndërmend edhe unë me ftua me pi kafe – kështu me tentu që të gjejmë zgjidhje. Sot kthehet, mendoj javën e ardhshme do ta ftoj”, tha Limaj, duke shtuar se palët politike tashmë kanë bërë lëshime nga pozicionet e tyre fillestare.
“Ne shumë kemi lëvizur shumë nga pozicioni. Krejt i kemi ofruar mundësit tona”, tha ai.
Limaj theksoi se zgjidhja përfundimtare e krizës duhet të fokusohet në interesin shtetëror dhe në funksionalizimin e institucioneve demokratike.
“Kam përshtypjen që ky ngërç përfundimisht duhet të kalohet duke vendosur në epiqendër shtetin. Shtetin çdo ditë duhet ta meritojmë e ta mirëmbajmë për ta pasur, nuk është diçka e mirëqenë”, theksoi Limaj.