Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka komentuar zhvillimet pas seancës së fundit konstituive të Kuvendit të Kosovës, duke theksuar se vendi po i afrohet krijimit të institucioneve të reja.
Në një prononcim për media, Limaj u shpreh optimist se shumë shpejt do të ketë një zgjidhje politike që do t’i hapë rrugë formimit të institucioneve.
“Dalëngadalë po afrohet koha që Kosova të ketë institucionet e saja. Është e qartë se do të kemi një marrëveshje politike që do t’i japë Kosovës institucionet e saj. Ne si subjekt kemi ofruar një mundësi mbi bazën e kapaciteteve tona, për të qenë të përgjegjshëm dhe për të dhënë kontributin tonë”, deklaroi ai.
Limaj ka ritheksuar qëndrimin e Nismës për të kontribuar në tejkalimin e krizës institucionale dhe për të ndihmuar në formimin e shumicës parlamentare.