Lista Serbe ka dorëzuar kërkesë në Gjykatën Kushtetuese, përmes së cilës konteston mënyrën se si është zhvilluar procesi i zgjedhjes së nënkryetarëve të Kuvendit nga radhët e komuniteteve jo-shumicë. Në këtë parashtresë, subjekti politik serb kërkon që votimi të kthehet në pikën fillestare dhe të zhvillohet si një proces i unifikuar, pra në formë “pakete”, në përputhje me praktikat e mëhershme parlamentare.
Partia serbe kërkon vendosjen e një mase të përkohshme nga Kushtetuesja, me arsyetimin se rrezikohet rrjedhja e afateve ligjore për formimin e qeverisë së re.
“Të caktojë, duke pasur parasysh interesin publik, masën e përkohshme, me të cilën do të ndalojë veprimet e mëtejshme kundërkushtetuese të Kryetarit te Kuvendit, në mënyrë që të mos zgjidhet Qeveria kundërkushtetuese ose të fillojnë të rrjedhin afatet për zgjedhjen e Qeverisë së Kosovës, për shkak se moscaktimi i masës së përkohshme do të shkaktonte dëme të pariparueshme dhe potencialisht do të çonte në formimin e institucioneve kundërkushtetuese, duke cenuar kështu rendin juridik dhe demokratik në Kosovë.”– thuhet në kërkesë.
Në dokumentin që ka siguruar KALLXO.com, Lista Serbe pretendon se kryetari i Kuvendit ka shkelur nenin 67 të Kushtetutës, si dhe disa dispozita të Rregullores së Punës së Kuvendit.
Sipas kërkesës së Listës Serbe, shkelja kryesore lidhet me faktin se kryetari i Kuvendit fillimisht u ka dhënë mundësinë komuniteteve të tjera jo-shumicë për të propozuar kandidatin për nënkryetar, ndonëse Kushtetuta dhe Rregullorja përcaktojnë qartë se e drejta e parë e propozimit i takon komunitetit serb.
“Kryetari i Kuvendit ka shkelur kompetencat e tij dhe se ai, në kundërshtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit, së pari i ka ftuar komunitetet e tjera jo-shumicë të bëjnë propozimin, edhe pse në Kushtetutën dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit është përcaktuar qartë se propozimi i parë para komuniteteve jo-shumicë paraqitet nga komuniteti serb.” – thuhet në kërkesën e Listës Serbe.
Lista Serbe citohet të ketë pretenduar më tej se është bërë një veçim i paligjshëm i votimit, pasi janë zhvilluar veçmas procedurat për kandidatët nga komunitetet jo-shumicë, në vend se të realizohej një votim i vetëm e i unifikuar për të dy postet.
“Kryetari i Kuvendit ka shkelur kompetencat e tij dhe se ai, në kundërshtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit, ka veçuar votimin për nënkryetarët e Kuvendit para komuniteteve jo-shumicë, edhe pse, në pajtim me Kushtetutën, Rregulloren e Punës së Kuvendit dhe praktikên e deritanishme te Kuvendit, si dhe dispozitivin e aktgiykimeve të Gjykatës Kushtetuese, ai duhet te zhvillohet si një votim i vetëm, përkatesisht i unifikuar për dy nënkryetare para komuniteteve jo-shumicë.”