Ndërkohë që në vendin tonë qytetarë të shumtë vijojnë të luajnë me baste sportive në mënyrë të paligjshme, policia ndërmerr herë pas here aksione për evidentimin dhe goditjen e kësaj veprimtarie.
Në njoftimin e kësaj të hëne, policia thotë se ka goditur dy raste të tjera të lojërave të fatit në qytetin e Korçës, ku ka vënë në pranga një person, ndërsa të tjerët janë proceduar penalisht, raporton Euronewsalbania.
“Gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin në pronësi të 43-vjeçarit, në lagjen nr. 8, Korçë, në celularët e shtetasve M.P. dhe G.A., u gjetën faqe për baste sportive. Gjithashtu, gjatë kontrollit të ushtruar në celularin e shtetasit Gj.M., në lokalin ku ndodhej në lagjen nr. 9, Korçë, u gjetën faqe për baste sportive”, njofton policia.
Gjatë aksionit “Loja e fundit” u sekuestruan edhe tre celularë, ndërsa në pranga ra 43-vjeçari M.P., banues në Korçë, për veprat penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”.
Po ashtu, materialet u referuan në Prokurori, ku ka nisur procedimi penal për shtetasit G.A. dhe Gj.M., banues në Korçë.












