Ish diplomati Avni Arifi, ka komentuar deklaratat e presidentes Vjosa Osmani për Qeverinë në krye me kryeministrin Kurti, raportet mes tyre, punësimet e deklaratat për ambasadorin Martin Berishaj.
Ai në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se është pritur prej kohësh deklarimi i Osmanit se çka po ndodhë me të vërtetë.
“Ka kohë të gjatë që është pritur nga Presidentja që të flet se çka po ndodhë me të vërtetë. Nuk e di a është pritur për shkak të postit të saj si Presidente apo për shkak të faktit se si e re ka punuar në institucione dhe populli ka pritur prej saj që si “institucionaliste” të flasë për atë se çka janë duke i bërë këta njerëz Kosovës”, u shpreh ai.Sipas Arifit, Osmani e konfirmoi katrahurën diplomatike të krijuar nga Qeveria por që ajo foli sikur mos të ishte bashkëpërgjegjëse për të këqijat që i janë bërë vendit.
“Presidentja konfirmoi “katrahurën” diplomatike që ka krijuar kjo Qeveri në raport me vendet aleate, konfirmoi rreziqet që ia ka sjellë kjo Qeveri Kosovës dhe konfirmoi kritikat e drejta “të njerëzve të Vuçiqit” siç i quan VV, opozitën, mediat dhe shoqërinë civile. Megjithatë, sjellja e Presidentes ishte në veten e tretë thua ti që ajo nuk është bashkëpërgjegjëse për të këqijat që i kanë pru këtij vendi”, vlerëson ish ambasadori për Gazeta Blic.
Arifi shton se Osmani nuk e mbronte Qeverinë, duke tentuar ta ruajë veten të pastër nga të gjitha ato që ka bërë Qeveria.“Vjosa nuk fliste më si pjesë e “qeverisë së ndryshimit” e as si fitimtare e bindjeve të saj. Me asgjë nuk mbronte Qeverinë as kur ishte në pyetje korrupsioni as kur ishte në pyetje nepotizmi e edhe kur ishte rasti i Martinit për të gjitha rastet stili i saj ishte “unë jo por këta po”. Një përpjekje e saj për ta ruajtur veten të pastër nga të gjitha të këqijat e kësaj qeverisje e të cilat ende nuk kanë mbërri në tërësi në veshët e opinionit publik”, potencon ai.
Tutje, ish kryenegociatori i dialogut më Serbinë, vlerëson se VV kuadrot që i sheh si “mish të egër” në mendësinë e VV së pari i shtrydh si limonin e pastaj i hedh.“Elementi i të ardhmes së saj politike është kryesori pasi që VV si parti me mendësi të njohur kuadrat që i sheh si “mish të egër” në mendësinë e VV së pari i shtrydh si limonin e pastaj i hedh. Këtë e ka bërë VV edhe me kuadro të tjera e shihej se do ta bëjë edhe me Vjosën. Nuk e di a ka mbërri Vjosa që t’ua marrë të parën”, thekson Arifi.
Krejt në fund, sa i përket asaj se sa po bëhen këto deklarata në prag të zgjedhjeve dhe sa mund të ndikojnë në zgjedhje te VV-ja, ai thotë se loja Vjosë-Albin veç sa ka filluar.“E, sa i përket votave zgjedhjet janë larg. Loja Vjosë Albin veç sa ka filluar”, përfundon Avni Arifi.