Katari paralajmëroi të martën se rajoni është afër një pike ku situata mund të “dalë jashtë kontrollit”.
I pyetur nga CNN nëse Katari beson se lufta mund të zbutet para afatit të SHBA-së, zëdhënësi i ministrisë së jashtme të Katarit, Majed al-Ansari, tha:
“Ne u kemi bërë thirrje të gjitha palëve të gjejnë një zgjidhje për këtë luftë përpara se ajo të dalë jashtë kontrollit”.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka paralajmëruar se “një civilizim i tërë do të vdesë sonte”, ndërsa afrohet afati i tij i së martës në orën 20:00, sipas kohës lokale të SHBA-së, që Irani të arrijë një marrëveshje dhe të hapë Ngushticën e Hormuzit, shkruan CNN.
Zëdhënësi shtoi se çdo marrëveshje me Iranin duhet të vijë me konsensusin e të gjithë aktorëve rajonalë dhe “nuk mund të përjashtojë” asnjë partner rajonal.
Doha kërkon një marrëveshje që pasqyron “një kornizë të re të sigurisë rajonale”, por që gjithashtu përfshin “garanci ndërkombëtare” që respektojnë të drejtën ndërkombëtare, tha al-Ansari.
Zyrtari shtoi se Katari aktualisht nuk është i përfshirë në përpjekje ndërmjetësimi mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.
Zëdhënësi tha se Ngushtica e Hormuzit nuk është nën kontrollin territorial të një vendi të vetëm dhe nuk duhet të përdoret nga një shtet i vetëm.













