Çështja e Aeroportit të Vlorës është shndërruar në një konflikt të madh, që tashmë ka kaluar nga biznesi në një betejë të hapur publike dhe ligjore.
Në këtë përballje janë përfshirë dy biznesmenë të njohur – Behgjet Pacolli dhe Valon Ademi, të cilët ditëve të fundit kanë reaguar publikisht për situatën që ka marrë përmasa të reja.
Mediat në Shqipëri raportuan se është pezulluar projekti, dhe se Behgjet Pacolli është nën hetime.
Gjykata e Tiranës ka pranuar kërkesën e paraqitur dhe ka marrë masën e sigurimit të padisë ndaj Shoqërisë “Vlora International Airport – VIA” SH.P.K., duke pezulluar çdo vendim të planifikuar në Asamblenë e Përgjithshme të Ortakëve, e cila ishte caktuar të mbahej më 20 tetor 2025, raporton Gazeta Tema.
Gjithashtu, në bazë të vendimit që gazeta ‘TemA’ e disponon, pezullohet e drejta e votës e ortakut të shumicës, Shoqërisë “Mabco Constructions SA”, deri në regjistrimin e kontratës së shitjes së 49% të kuotave të kapitalit të shoqërisë VIA sh.p.k., të transferuara më 3 prill 2025 tek blerësi “2A Group” sh.p.k.
Prokuroria e Tiranës ndërkohë ka nisur një grup prokurorësh për hetimin e çështjes së aeroportit të Vlorës.
Hetimi është regjistruar për 3 individë: biznesmenin Behgjet Pacolli me të vëllanë Emin Pacolli, si dhe shtetasin Nelson Çela, administrator i kompanisë mëmë në Zvicër Mabco Construction S.A. Shtetasi Nelson Çela u thirr në Prokurorinë e Tiranës, i cili dha një deponim, ndërsa fill më pas nënshkroi edhe dorëheqjen si administrator i kompanisë në pronësi të Pacollit. Të tre ata janë zyrtarisht nën hetim për mashtrim me pasoja të rënda, mashtrim kompjuterik, si dhe falsifikim të dokumenteve dhe akteve.
Ndaj kësaj, reagoi Behgjet Pacolli, i cili tha se janë shpifje të orkestruara. Ai deklaroi se çdo gjë e ka bërë me paranë e tij dhe se po e mbron pronën e vet.
“ÇFARË ËSHTË KY KOMPLOT I KOORDINUAR NË SHQIPËRI KUNDËR EMRIT TIM, Pikërisht tani që ndërtimit të aeroportit po i vjen fundi?! Çfarë janë këto ofendime?Kush po e orkestron këtë fushatë shpifjesh dhe pse?Unë, përveçse po përpiqem të mbroj pronën time, nuk kam dhënë asnjë intervistë dhe nuk kam iniciuar asnjë proces gjyqësor që të shërbejë si shkak për përfolje. Duket qartë se dikush tjetër po merret me këto procese, ndërkohë që unë deri më sot nuk jam ftuar nga askush për të dhënë as dëshminë, as sqarimet e mia”, ka shkruar Pacolli.
“Nuk jam më gati për lëshime për atë që është e imja, por nuk do të pranoj kurrë asgjë që nuk më takon. Kam dhënë kontributin tim të ndershëm, me qindra miliona euro investime, që vijnë 100% nga asetet e mia personale, të dokumentuara dhe të garantuara me fondet dhe kolateralet e mia private. Asnjë qindarkë publike — çdo gjë ka ardhur nga puna, besimi dhe sakrifica ime. Faktet, dokumentet dhe Zoti janë dëshmitarë të qëllimeve të mia të mira. Dua të lë në Vlorë një trashigemi duke e ditur mirë që ky investim me vështirësi do të rikthehet. Por një gjë është e sigurt: Nuk mund të duroj më këtë padrejtësi, ku përbaltet emri, dinjiteti dhe investimi im!”, tha më tutje ai.
Reagoi edhe Valon Ademi, biznesmeni kundërshtar i Behgjet Pacollit në këtë rast.
“Ka njerëz që prej vitesh e quajnë zhvillim atë që në të vërtetë është vetëm mbulesë për mashtrim. Ato shiten si vendime, por në thelb janë një lojë e rrezikshme që nuk i reziston kohës. Ironia më e madhe është se ata që kanë blerë gjithmonë besim, kujtojnë se mund ta blejnë edhe sot. Por është vetëm çështje kohe, sepse një lojë kaq e rrezikshme nuk mund të fshihet gjatë”, ka shkruar Valon Ademi.
Konflikti për kuotat e aeroportit të Vlorës ka marrë të tjera përmasa. Një ditë më parë, portali Hashtag.al zbuloi se Behgjet Pacolli është nën hetim nga prokuroria e Tiranës.
“Prokuroria e Tiranës ka strukturuar një grup prokurorësh për hetimin e çështjes së aeroportit të Vlorës. Hetimi është regjistruar për 3 individë: biznesmenin Behgjet Pacolli me të vëllanë Emin Pacolli, si dhe shtetasin Nelson Çela, administrator i kompanisë mëmë në Zvicër Mabco Construction S.A. Shtetasi Nelson Çela u thirr sot paradite në Prokurorinë e Tiranës; ai dha një deponim, ndërsa fill më pas nënshkroi edhe dorëheqjen si administrator i kompanisë në pronësi të Pacollit. Të tre ata janë zyrtarisht nën hetim për mashtrim me pasoja të rënda, mashtrim kompjuterik, si dhe falsifikim të dokumenteve dhe akteve. Procedimi penal kundër zotit Pacolli dhe dy të tjerëve mban nr. 64/06 dhe ka nisur në shtator, pasi një kallëzues me vlerë u vu në lëvizje nga shërbimet inteligjente partnere; një anëtar i strukturës hetimore besohet se ka marrë “clearance” nga FBI,” shkruan Hashtag.al.
Kapitali ka mësuar se personi që ka bërë kallëzimin ndaj Pacollit në prokurori është pikërisht Valon Ademi, aksioneri i minorancës në koncesionin e aeroportit të Vlorës. Pacolli dhe Ademi janë dy ortakë të hershëm, që bëjnë biznes bashkë prej vitesh. Por në aeroportin e Vlorës, dy miqtë u përfshinë nga një luftë e ashpër dhe u shndërruan në armiq.
Thelbi i konfliktit mes Pacollit dhe Ademit është ndarjen e aksioneve në shoqërinë koncesionare të aeroportit të Vlorës. Zyrtarisht kuotat e koncesionit të aeroportit të Vlorës zotërohen në masën 98 për qind nga Mabco e Behgjet Pacollit dhe 2 për qind nga 2A Group e Valon Ademit. Por Ademi pretendon se ai ka investuar me shumë në ndërtimin e aeroportit dhe për rrjedhojë këto investime duhet t’i përkthehen në më shumë aksione në shoqëri.
Sipas gazetës Tema mes palëve ekziston dhe një kontratë noteriale, e nënshkruar fill pas largimit të grupit turk Yda nga koncesioni i aeroportit. Turqit zotëronin 40 për qind të aksioneve në aeroportin e Vlorës, të cilat formalisht ja kanë shitur Mabcos të Pacollit për 4200 euro dhe po në të njëjtën ditë Mabco me 2A Group kanë lidhur një kontratë të re për ndarje aksionesh mes tyre në raportin 53 për qind për Mabco dhe 47 për qind për 2A Group. Por këto kontrata nuk janë regjistruar në QKB.
2A Group e Ademit kërkon të njihet si 47 për qind aksioner duke pasur në dorë kontratën por edhe gjithë dokumentet e investimit gjatë këtyre dy viteve, ndërsa Mabco e Pacollit refuzon dhe ka marrë një vendim si aksioner kryesor i konsorciumit që të mos lejohet ndryshimi i aksioneve.