Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka folur para mediave pak para nisjes së seancës konstituive të Kuvendit, duke sqaruar qëndrimin e partisë së tij lidhur me ftesën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për një takim konsultativ.
Haziri tha se qëndrimi i LDK-së nuk përbën refuzim të dialogut, por se ftesa e Kurtit është trajtuar si e panevojshme, pasi sipas tij, LDK-ja është përgjigjur që në ftesën e parë.
“S’ka nevojë të ketë takim politik për procedura. Nëse është procedurale, duhet të trajtohet si procedurale. Nuk shkohet në takim për të drejtën e fituar. Këtu po mungon një marrëveshje politike të cilën partia e parë duhet ta realizojë – për Kuvend e Qeveri.”
Ai shtoi se nëse LDK do të ishte në këtë pozitë, çështja e institucioneve do të ishte zgjidhur që para pesë javësh.
“Me pas qenë LDK në këtë pozitë, para pesë javëve e kishim mbyllur këtë çështje të Kuvendit, Qeverisë, bile edhe çështjen e Presidentes e kishim zbardhur.”
Sipas tij, problemi nuk është mungesa e takimeve, por mungesa e vullnetit të vërtetë politik për marrëveshje.
“S’ka vullnet, nuk është se s’ka takime, s’ka vullnet politik. Me bë takime vetëm sa për t’u taku, apo për t’u taku në parimin për me u marrë vesh mos me u marrë vesh – LDK-ja nuk shkon. Ne shkojmë në takim për t’u trajtu e dakordu.”
I pyetur nëse do të votojë kandidaturën e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiun, Haziri u përgjigj se është i hapur ndaj këtij opsioni, nëse bindet se propozimi është i drejtë.
“Nëse e bindin se e kanë mirë që për këtë propozim, atëherë po. Pro deri tani s’kanë arritur me e bind askënd.”