Presidenti francez Emmanuel Macron thotë se njohja e shtetit palestinez është e vetmja mënyrë për të ofruar një zgjidhje politike për një situatë që duhet të marrë fund.
Deklarata vjen në një kohë kur Franca pritet ta njohë shtetin palestinez në konferencën e OKB-së më vonë gjatë ditës së sotme.
Duke folur për rrjetin amerikan CBS News, presidenti francez u shpreh se njohja është fillimi i një procesi politik, duke shtuar se menjëherë pas kësaj pret armëpushim, lirimin e të gjithë pengjeve dhe rikthimin e ndihmës humanitare në Gaza.
Kujtojmë se një ditë më parë, katër vende e njohën Palestinën si shtet: Britania e Madhe, Australia, Kanadaja dhe Portugalia.
Macron theksoi gjithashtu se thirrja e tij për njohjen e shtetit palestinez dhe kundërshtimet ndaj luftës së vazhdueshme në Gaza nuk janë antisemite.
Në intervistë, ai e konsideroi të papërshtatshme që ambasadori amerikan në Francë, Charles Kushner, babai i Jared Kushner, i martuar me vajzën e presidentit amerikan Donald Trump, Ivanka, ta akuzonte publikisht se nuk po bënte mjaftueshëm për të luftuar antisemitizmin në Francë.
Në gusht, Kushner deklaroi se qëndrimet e politikës së jashtme të Francës kishin lidhje me incidentet e dhunës ndaj hebrenjve brenda vendit. Franca e thirri ambasadorin për t’i shprehur reagimin ndaj këtyre pretendimeve, duke i cilësuar ato si “të papranueshme”.