Mali i Zi nuk u ftua të anëtarësohej në Deklaratën për Bashkëpunim në Fushën e Mbrojtjes të nënshkruar në Tiranë më 18 mars nga ministrat e Mbrojtjes të Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës.
Siç tha Ministria e Mbrojtjes e Malit të Zi për Radion Evropa e Lirë (RSE) në gjuhën serbo-kroate, ata “nuk janë në dijeni” se Malit të Zi i është ofruar të nënshkruajë Deklaratën.
Deklarata i referohet forcimit të bashkëpunimit të mbrojtjes për ruajtjen e paqes, duke përfshirë industrinë e mbrojtjes, veprimin për të kundërshtuar kërcënimet hibride dhe mbështetjen për integrimin euro-atlantik, njoftoi Ministria Kroate e Mbrojtjes, transmeton Klankosova.tv.
Krahas kufirit me të tre vendet, Mali i Zi është anëtar i NATO-s, ashtu si Kroacia dhe Shqipëria.
Nënshkruesit e Deklaratës njoftuan se është e hapur mundësia e anëtarësimit të anëtarëve të tjerë.
Në pyetjen e Radios Evropa e Lirë nëse do t’i bashkohen Deklaratës, ministria e Mbrojtjes e Malit të Zi nuk është përgjigjur drejtpërdrejt.
Në përgjigjen e tyre ata deklaruan se do të vazhdojnë të forcojnë bashkëpunimin me të gjitha vendet e rajonit, duke promovuar vizionin euroatlantik të Ballkanit Perëndimor.
“Si anëtare e Aleancës Veriatlantike, ne theksojmë rolin e forcave të NATO-s në Kosovë (KFOR), si një faktor i rëndësishëm që kontribuon në ruajtjen e një mjedisi stabil dhe të sigurt, dhe në mandatin e të cilit kontribuon edhe Mali i Zi, gjë që do të vazhdojë të jetë kështu edhe në periudhën e ardhshme”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Ministria e Mbrojtjes e Kroacisë nuk i është përgjigjur as pyetjes për aderimin e mundshëm të Malit të Zi në këtë marrëveshje ushtarake. Nuk ka pasur asnjë koment nga NATO.
Samarxhiq: Ishte joreale të pritej që Kroacia ta ftonte Malin e Zi në këtë situatë
“Nuk pritej që në këtë situatë Kroacia ta ftonte Malin e Zi që t’i bashkohet Marrëveshjes, që nuk do të thotë se kjo nuk do të ndodhë nëse marrëdhëniet dypalëshe përmirësohen”, tha për Radion Evropa e Lirë, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Malit të Zi, Dragan Samarxhiq.
Marrëdhëniet midis Kroacisë dhe Malit të Zi u përkeqësuan pas miratimit të Rezolutës për Jasenovac në Parlamentin malazez në qershor 2024.
Një muaj më vonë, Kroacia shpalli persona non grata Andrija Mandiqin, presidentin e Parlamentit të Malit të Zi, Milan Knezheviq, deputet dhe Aleksa Beçiqin, zëvendëskryeministër, për ato që ata thanë se ishin “veprime sistematike për të prishur marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë me Kroacinë”.
Në dhjetor 2024, Kroacia bllokoi mbylljen e kapitullit në negociatat e pranimit të Malit të Zi me BE-në, i cili lidhet me politikën e jashtme të sigurisë dhe mbrojtjes.
Edhe sikur të ishte ftuar t’i bashkohej Deklaratës, Samarxhiq beson se Qeveria malazeze nuk do të kishte fuqinë politike për t’iu përgjigjur pozitivisht.
“Qeveria aktuale malazeze po balancon rrugën euroatlantike dhe mosmarrëveshjet e brendshme politike, të cilat mund të ndikojnë në qëndrimin e saj ndaj nismave të tilla”, thotë Samarxhiq.
Qeveria malazeze përbëhet nga dy nënkryetarë dhe tre ministra nga Fronti Demokratik pro-Rus (DF) i shpërbërë së fundmi, i cili nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe është kundër anëtarësimit të Malit të Zi në NATO.
Lideri shumëvjeçar i Partisë Demokratike të Malit të Zi, Andrija Mandiq, është kryetar i Parlamentit të Malit të Zi.
Ata kanë qenë pjesë e shumicës qeverisëse që nga viti 2020, kur Partia Demokratike e Socialistëve e Millo Gjukanoviqit u rrëzua, gjatë sundimit të të cilit Mali i Zi u pranua në NATO. /REL