Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka pritur sot në një takim kancelarin Federal, ministrin e Mbrojtjes, Mbrojtjes Civile dhe Sportit të Zvicrës, Martin Pfister.
Ministri Maqedonci ka thënë se mes Kosovës dhe Zvicres ekziston një lidhje e natyrshme falë diasporës sonë.
“Ekzistojnë lidhje të natyrshme mes Kosovës dhe Zvicrës falë diasporës tonë, e cila ka një ndikim të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve tona dhe në zhvillimin e vendit, andaj dhe bashkëpunimi bilateral ndërmjet shteteve tona është i pashmangshëm”, ka thënë Maqedonci.
Në njoftim thuhet se Maqedonci me ministrin Pfister diskutuan për bashkëpunimin në fushën e trajnimeve dhe edukimit të ushtarakëve.
“Një hap shumë i rëndësishëm për forcimin e kapaciteteve tona të mbrojtjes, ndërsa e njoftova dhe mbi zhvillimet e rëndësishëm që Forca e Sigurisë e Kosovës (FSK) ka arritur gjatë viteve. Gjithashtu theksova dhe domosdoshmërinë e anëtarësimit të Kosovës në BE dhe NATO, për të garantuar stabilitetin e vendit tonë dhe të gjithë Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Maqedonci.
Në njoftim po ashtu thuhet se të dy janë dakorduar që të thellojnë bashkëpunimin në fushat me interes të përbashkët.
“Faleminderit Zvicrës për mbështetje dhe besim, së bashku po ecim drejt një të ardhmeje më të sigurt”, ka thënë Maqedonci.