Pas bisedimeve të zhvilluara këtë javë mes SHBA-së dhe Kinës në Londër, presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar se marrëveshja tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës është “kryer”.
Përmes një postimi në Truth Social, Trump poashtu ka deklaruar se marrëdhëniet me Kinën janë “të shkëlqyera”, edhe pse më parë kishte pranuar se negociatat me Pekinin “nuk ishin të lehta”.
“Marrëveshja jonë me Kinën është kryer, duke pritur vetëm miratimin përfundimtar nga presidenti Xi dhe unë. Kina do të furnizojë me magnetë të plotë dhe të gjitha mineralet e rralla që janë të nevojshme, që në fillim. Nga ana jonë, do t’i japim Kinës ato që u ranë dakord, përfshirë studentët kinezë që do të përdorin kolegjet dhe universitetet tona (që mua më ka pëlqyer gjithmonë!). Ne do të përfitojmë nga 55% tarifa, Kina do të ketë 10%. Marrëdhënia është e shkëlqyer! Falënderim për vëmendjen!” ka shkruar Trump.
Njoftimi i presidentit ka shkaktuar reagime të menjëhershme në qarqet ekonomike, duke ngritur pikëpyetje mbi përmbajtjen konkrete të marrëveshjes, përfitimet reale për secilën palë, si dhe ndikimin e mundshëm në tregjet globale.
Kjo marrëveshje, shënon një kthesë të rëndësishme në një marrëdhënie të tensionuar që ka ndikuar në ekonominë botërore për vite me radhë.