Blerta Obertinca, mbesa e të burgosurit politik, mësuesit e atdhetarit, Destan Bajraktari, ka kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje dhe kryeministri Albin Kurti, që mos ta përmendin më emrin e gjyshit të saj.
Në një shkrim të gjatë në rrjetin social Facebook, ajo ka reaguar pasi në një tubim të partisë në pushtet në Suharekë, u përmend edhe emri i Destan Bajraktarit.
Obertinca ka thënë se përmendja e emrit të gjyshit të saj nga një parti me “prapavijë komuniste”, është e turpshme dhe e padurueshme.
“Me ju përmend emri Destan Bajraktarit, në një fushatë të një partie të majtë me prapavi komuniste, kur e di që gjyshi jem u dergj në burg të Rankoviqit dhe gjatë tërë jetës së tij as Enver Hoxhën nuk e ka përkrah nëpër oda e ndeja dhe e ka kritiku edhe kur të tjerët kanë qajtë për te nga dashnija, kjo është diçka e turpshme dhe e padurueshme.
Gjyshi jem ka pas shumë të mira, ka qenë në NDSH, mësues i parë në Komunën e Suharekës ku ka eduku gjenerata e gjenerata, ka qenë mbledhësi më i madh i folklorit në Kosovë, me tërë atë dijeni që ka pasë, për shkak ideve anti- jugosllave, anti-majtiste dhe anti -komuniste nuk ka pas të drejtë (pasi u liru nga burgu) me ushtru më punën e mësuesit në Kosovë. Ama këto të mira i ka pasë për vete, jo për fushatë të LVV. Dhe LVV në asnjë tubim nuk ka të drejtë me ja laku emrin sepse programi tyre nuk përputhet me asnjë ide të gjyshit tem”.
Ajo ka shtuar se po të ishte gjallë Bajraktari, dhe të kuptonte që në parti është edhe Faruk Mujka e disa figura të tjera, do të tmerrohej.
“Ai ka qenë ithtarë i demokracisë amerikane, ka adhuru Xhon Kennedy-n dhe e ka përkrahë shumë Ibrahim Rugovën. Kurrë gjyshi jem nuk ka luftu e ëndërru për një Kosovë që do të udhëhiqet nga një parti me program dhe ide revolucionare majtiste -leniniste si LVV (sado që po mundohet me u moderu).
Po të ishte gjallë Destan Bajraktari ish tmerru me kuptu që partia e cila në radhët e saj e ka Faruk Mujkën e partisë JUL (të Mira Markovic, gruas së Milloshevic-it) e plot disa nipa/mbesa e fëmijë të ish klikës komuniste jugosllave që kanë torturu shqiptarë me ja përmend emrin në fushatë.
Dhashtë zoti mos me dëgju ma emrin e babës Destan nëpër fushata të LVV, apo në fushata të partive tjera. Moti ka qenë koha me i marr votat bazuar në meritë e me punën që keni bë gjatë qeverisjes suaj.
Babën Destan dhe vlerat e tij ja kujtojmë na familja e tij sa jerë të kemi mundësi, e sa për ju Kryetar partish kur të hyni në institucione shtetërore, të vetmen gjë që keni të drejtë me bë ndaj gjyshit tem është me nderu duke ja ribotu librat e veprat që i ka shkru, mjafton kjo!
Kaq kisha!” – ka shkruar ajo.