Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, foli sot në episodin e dhjetë të sezonit të gjashtë të podkastit “Flasim” me profesor Arjan Gjonçaj për procesin gjyqësor ndaj ish-komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë.
Gjatë bisedës, profesori Gjonçaj shprehu habinë për atë që e cilësoi si mungesë të përkrahjes financiare nga institucionet e Kosovës për specialistët dhe ekspertët që nevojiten në mbrojtjen e të akuzuarve.
Rama tha se, ndonëse nuk e ka diskutuar këtë temë me Kurtin, sipas tij, arsyeja mund të ketë qenë frika se një veprim i tillë do ta rëndonte më tej pozitën politike të Kurtit në raport me partnerët ndërkombëtarë.
“Besoj që ai nuk ka dashur të ekspozohet si person që po rrotullon thikën ndaj sistemit ndërkombëtar… Nuk e kam folë ndonjëherë”, tha Rama.
“Pozicioni i tij me Shtetet e Bashkuara nuk është një pozicion komod. Nuk e di sa kanë dhënë ata, me siguri më shumë se ne. Ne kemi ndihmuar më shumë”, tha ai.











