Mbreti Charles i Britanisë dhe Papa Leo janë lutur së bashku të enjten në Kapelën Sistine të Vatikanit — një akt adhurimi i përbashkët mes një monarku anglez dhe një pape katolik për herë të parë që nga koha kur Mbreti Henri VIII u nda nga Kisha e Romës në vitin 1534, raporton The Guardian, përcjell Reporteri.net.
Këngë në latinisht dhe lutje në anglisht jehonin nëpër kapelë, aty ku Leo u zgjodh si papa i parë amerikan nga kardinalët katolikë të botës gjashtë muaj më parë.
Charles, që është guvernatori suprem i Kishës së Anglisë, ishte ulur në të majtë të papës pranë altarit të kapelës, ndërsa Leo dhe kryepeshkopi anglikan Stephen Cottrell udhëhoqën një shërbesë fetare ku morën pjesë kori i Kapelës Sixtine dhe dy kore mbretërore.
Edhe pse Charles është takuar me tre papët e fundit, dhe Papët Gjon Pali II dhe Benedikti XVI kanë udhëtuar në Britani, takimet e mëparshme nuk kanë përfshirë kurrë lutje të përbashkëta.
Mbreti Charles dhe Mbretëresha Camilla patën gjithashtu një takim privat me Papa Leon.
Mbreti Charles do të udhëtojë pasdite drejt Bazilikës së Shën Palit Jashtë Mureve në Romë — një nga katër kishat më të nderuara të katolicizmit — ku Papa Leo ka miratuar t’i japë atij një titull të ri, “Vëlla Mbretëror” (Royal Confrater), në manastirin e lidhur me të.
Pallati Buckingham njoftoi të enjten se Charles kishte miratuar gjithashtu dy nderime britanike për Leon: ta shpallte “Vëlla Papnor” (Papal Confrater) të Kapelës së Shën Gjergjit në Kalanë Windsor dhe t’i akordonte atij Urdhrin e Kalorësit të Madh./Reporteri.net