Gjykata Speciale përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se me datën 15 shtator, mbrojtja e Hashim Thaçit do të fillojë paraqitjen e provave para Dhomave të Specializuara, duke thirr dëshmitarin e parë.
Në njoftim thuhet se seanca pritet të jetë kryesisht publike, do të fillojë në orën 9:00 dhe mund të përcillet në shqip, serbisht dhe anglisht përmes faqes së internetit të DHSK-së, me 45 minuta vonesë.
Po ashtu në komunikatë paralajmërohet se ka interes të lartë për ta përcjellë seancën nga galeria brenda Gjykatës dhe kërkohet nga të interesuarit që t’i drejtohen Gjykatë së Hagës përmes emailit.
“Për shkak të interesit të lartë për seancën, për ta ndjekur seancën nga galeria për publikun në mjediset e gjykatës në Hagë kërkohet regjistrim paraprak. Për t’u regjistruar paraprakisht dërgoni një mesazh elektronik (email) në adresën [email protected]. Ju lutem mbani parasysh se vendi juaj konfirmohet vetëm pasi të keni marrë konfirmimin me mesazh elektronik (email). Mesazhet elektronike të konfirmimit do të dërgohen jo më vonë se 11 shtatori 2025. Organet e interesuara të medias duhet të njoftojnë nëse kanë nevojë t’u rezervohet një vend në qendrën për median. Ju lutemi personave që do të ndjekin seancën nga galeria për publikun të mbajnë parasysh Rregullat e sjelljes në mjediset e Dhomave të Specializuara të Kosovës.”, thuhet në komunikatë.
Ndryshe aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020, dhe u ndryshua më 3 shtator 2021, 29 prill 2022, dhe 30 shtator 2022. Versioni me më pak redaktime i Aktakuzës u dorëzua më 27 shkurt 2023.