Një aksion i Prokurorisë Themelore në Prishtinë në kordinim me njësitin kundër krimit ekonomik dhe korrupsionit të Policisë së Kosovës, ka rezultuar me arrestimin e avokatit Venhar Hana, ish-shefit të zyrës ligjore në Shoqatën e Sigurimeve.
Hana së bashku me të arrestuarin tjetër D.I – instruktor, dyshohen se kanë legalizuar dokumente të falsfikuara duke shkaktuar dëme milionëshe.
Ish-përfaqësuesi i Byros Kosovare të Sigurimeve, Hana, ishte hetuar nga Njësiti i Inteligjencës Financiare për mënyrën e shitjes së një prone në Çagllavicë e cila ishte nën pronësinë e një shtetaseje serbe, e cila po ashtu dyshohet se kundërligjshëm e kishte zotëruar pronën.
Sipas raportit të NJIF-it të cilin e kishte siguruar Insajderi, prona në fjalë në sipërfaqe prej 536 metrave brenda vitit ishte tjetërsuar për disa herë.
Në këto raste, dokumentet i kishte nënshkruar avokati Venhar Hana, i autorizuar i një serbeje që nënshkruhet si pronare e të njëjtës hise, Slavica (Rade) Mikic e lindur në vitin 1955 në Kraljevë.
Policia në këtë raport nuk përmend të ketë gjetur ndonjë dokument që shitjet janë anuluar, por gjen që për çudi, edhe pse ishte prona e njëjtë, me sipërfaqe identike e numër identik të regjistrimit në kadastër, pesë personave të ndryshëm iu shit me të njëjtin çmim: 9500 euro.
Avokati Venhar Hana për një kohë ka qenë Drejtor i Zyrës Ligjore në Shoqatën e Sigurimeve, derisa në raportimet mediale prej seancave gjyqësore, ka përfaqësuar edhe Byronë Kosovare të Sigurimeve (BKS).
Ndërkaq, sipas komunikatës të përbashkët të Prokurorisë e Policisë, Hana dyshohet për veprat penal “Falsifikim i Dokumentit” nga neni 390, veprës penale “Legalizimi i Përmbajtjes së Rreme” nga neni 395 dhe veprës penale “Mashtrim” nga 323 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Ndaj Hanës dhe të arrestuar tjetër është vendosur masa e ndalimit për 48 orë.