Turizmi në Shqipëri po përjeton ndryshime të dukshme gjatë vitit 2025, me një ngadalësim të hyrjeve të turistëve nga jashtë, veçanërisht nga Kosova.
Sipas të dhënave të publikuara nga revista “Monitor.al”, për periudhën janar-korrik, në vend kanë hyrë 6.58 milionë turistë të huaj, me një rritje të ngadalësuar prej vetëm 3.5%, krahasuar me 23% rritje në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Edhe në korrik, shifrat ishin modeste, me vetëm 0.4% rritje në krahasim me korrikun e vitit 2024.
Rënia më e dukshme vjen nga Kosova, e cila përbën rreth 35% të totalit të turistëve në 7 muajt e parë të vitit. Hyrjet nga Kosova kanë pësuar një ulje prej 5% ose 121 mijë turistë më pak, ndërsa vetëm në korrik ka pasur një rënie prej 6%.
Sipas revistës “Monitor.al”, ky trend rënës i të ashtuquajturit “turizëm patriotik” lidhet me tre arsye kryesore: heqja e vizave për kosovarët për vendet e BE-së që nga janari 2024, rritja e çmimeve në Shqipëri dhe dobësimi i euros ndaj monedhës së përbashkët që përdoret në Kosovë.
Edhe grupi i dytë më i madh i turistëve, italianët, po tregojnë ngadalësim me një rritje prej vetëm 4.5% për 7 mujorin, krahasuar me 47% të vitit të kaluar. Ndërkaq, Maqedonia e Veriut vazhdon të jetë besnike ndaj destinacioneve shqiptare me rritje prej 11.3%, ndërsa vizitat nga Mali i Zi janë tkurrur me 2%.
Në rënie janë edhe vizitat nga Turqia (-8.3% për 7 mujorin dhe -33% në korrik), Polonia (-12%), dhe Spanja (-5.3%). Operatorët turistikë shpjegojnë se kjo ulje ka ardhur kryesisht për shkak të reduktimit të turistëve individualë.
Një zhvillim i veçantë është rikthimi i turistëve serbë, të cilët janë shtuar me 16% për periudhën janar-korrik, ose 77 mijë më shumë, dhe me 28% vetëm në korrik, duke preferuar kryesisht zonën e jugut të Shqipërisë.
Nga ana tjetër, Franca dhe Gjermania kanë shënuar rritje të ndjeshme të turistëve që vizitojnë Shqipërinë, me përkatësisht 47% dhe 27% më shumë për 7 mujorin e këtij viti./tvklan.al