Ish-ministri i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Armend Mehaj, ka dhënë një intervistë për RTV Dukagjini, ku jep mendime të tij për gjendjen e sigurisë në vend, zhvillimin dhe armatosjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), ndërtimin e industrisë së mbrojtjes, si dhe perspektivën e Kosovës drejt anëtarësimit në NATO.
Sipas Mehajt, siguria në Kosovë ndodhet në nivelin më të lartë historik. “Siguria në Republikën e Kosovës sot është në një nivel dukshëm më të lartë dhe më të qëndrueshëm se në çdo periudhë tjetër historike”, ka deklaruar ai, duke theksuar se kjo është rezultat i ndërtimit sistematik të kapaciteteve mbrojtëse dhe armatosjes moderne të FSK-së në koordinim me SHBA-në dhe partnerët e NATO-s.
Ai ka paralajmëruar se strukturat ushtarake dhe mercenarët serbë vazhdojnë të jenë të lidhur me interesat ruse, duke e pozicionuar Serbinë larg integrimit euroatlantik. Një nga pikat kyçe të intervistës ishte edhe armatimi i FSK-së, ku Mehaj konfirmoi blerjen e dronëve “Bajraktar” dhe “Puma”, si dhe sistemeve kundërtanke OMTAS.
“Kosova është më e fortë ushtarakisht sesa perceptohet zakonisht”, ka thënë Mehaj, duke shtuar se zhvillimi i industrisë vendore të mbrojtjes, përfshirë prodhimin e municionit, është një nga arritjet më të mëdha të mandatit të tij. Ai u shpreh i bindur se anëtarësimi i Kosovës në NATO është i pashmangshëm, por kërkon angazhim të koordinuar shtetëror.













