Publicisti Kim Mehmeti, në emisionin “Këndi i Kimit” ka folur për organizimin e zgjedhjeve të dhjetorit dhe për mënyrën se si Kosova ka menaxhuar procesin demokratik.
Ai u shpreh se vendi ka treguar se ka mundësi të zhvillojë zgjedhje në një mënyrë të organizuar, duke dhënë mësim shqiptarësie edhe për rajonin.
“Kosova do të dëshmojë se a çmon urrejtjen, a çmon grindjen, apo çmon një rrjedhë demokratike. Unë mburrem me Kosovën, sepse ajo i mbajti ligjëratat shqiptarësisë se si organizohen zgjedhjet. Nuk mund të thoni se përballeni me parti shtet në një vend ku nga 10 televizione, dy prej tyre bëjnë analizë serioze dhe të tjerat përhapin urrejtje ndaj partive në pushtet. Ajo që ata thonë nuk është analizë reale”, tha Mehmeti.
Publicisti gjithashtu kritikoi ato që sipas tij e zvogëlojnë rolin e proceseve demokratike, duke theksuar rëndësinë e mbrojtjes së integritetit të zgjedhjeve.
“Ata thonë se më mirë është ta kthejmë Kosovën Serbisë sesa të qeverisë Vetëvendosja. Kjo nuk është perspektivë demokratike”, shtoi Mehmeti.
Ai përfundoi duke vlerësuar se Kosova ka treguar aftësi për të organizuar zgjedhje të ndershme dhe transparente, duke i dhënë shembull shqiptarësisë për organizim dhe qeverisje demokratike.












