Kandidati i VV-së për kryetar të Komunës së Vushtrrisë, Sylejman Meholli ka nënshkruar marrëveshje koalicioni me tashmë ish kandidatin e LDK-së për kryetar komune, Xhafer Tahiri, të cilën e ka emërtuar si koalicioni “Bashkë për Vushtrrinë”.
Kujtojmë së ndaj kësaj marrëveshje ka reaguar LDK-ja nga niveli qendror, ku ka thënë se nuk ka autorizuar dhe nuk autorizon asnjë koalicion lokal pa ndjekur procedurat statutare të partisë.
“Veprimet e kandidatit tonë në Vushtrri për të lidhur koalicion me një parti tjetër, janë veprime individuale, të papranueshme dhe në kundërshtim me procedurat statutare të Lidhjes Demokratike të Kosovës”, thuhet në komunikatën e LDK-së nga niveli qendror.
Veriu.info sot ka raportuar ekskluzivisht për këtë marrëveshje, duke publikuar edhe sms të dërguar nga sekretariati qendror për kryetar e degëve, që i paralajmëron të mos nënshkruajnë marrëveshje pa miratim të nivelit qendror.
Postimi i Sylejman Meholli:
Bashkë për Vushtrrinë!
Përtej çfarëdo dallimi sot kemi lidhur koalicionin e fitores në Vushtrri me LDK-në – Dega në Vushtrri e drejtuar nga kryetari i saj z. Xhafer Tahiri dhe në mbështetje të plotë të kësaj marrëveshje nga kryeministri z. Albin Kurti!
Bashkë e kemi ndryshuar qeverisjen në vitin 2017 e bashkë do ta ndryshojmë edhe më 9 nëntor 2025!
Vushtrria ka nevojë për ndryshim të kursit qeverisës për t’ia kthyer qeverisjen qytetarit, qytetit zhvillimin, e qytetarëve mirëqenien pa dallim.
Dua të falënderoj nga zemra strukturat e LVV-së dhe LDK-së në Vushtrri, në veçanti z. Tahiri, për gjenerozitetin dhe gatishmërinë plot vullnet për t’u bërë bashkë për fitoren e madhe në Vushtrri!
Nuk ka forcë që e ndalon fitoren tonë të përbashkët në Vushtrri!
Urime, na priftë e mbara!
Zoti e bekoftë Vushtrrinë!
Dr. Sylejman Meholli