Mërgimtari nga fshati Bradash i Podujevës, Leonard Shabani, ka bërë të ditur se para disa ditësh, pas kthimit nga Gjermania, ka gjetur shtëpinë e tij të thyer dhe të plaçkitur nga hajnat.
Sipas tij, autorët kanë vjedhur thuajse gjithçka që kanë mundur, duke përfshirë orenditë e kuzhinës, makinën për larjen e rrobave, dyshekun e shtratit si edhe të gjitha rrobat që ndodheshin brenda dollapëve.
Në shtëpi janë vërejtur qartë shenja të thyerjes dhe të vjedhjes. Rasti është paraqitur në polici dhe hetimet janë në vazhdim. Shabani ka bërë të ditur se policia ka përmendur katër emra të dyshuar, prej të cilëve dy janë persona të afërm me të.
Ai ka kërkuar që rasti të zbardhet sa më shpejt, duke theksuar se kjo është shtëpia e gjashtë që po thyhet në të njëjtën formë në këtë zonë, çka ngre shqetësime serioze për sigurinë e banorëve./IndeksOnline/













