“Po sikur mësuesi yt të ishte vrasës?”. Këtë pyetje ia shtron lexuesve gazetari Visar Duriqi, me librin që pritet ta promovojë më 16 prill.
I titulluar “Mësuesi që u bë vrasës”, Duriqi thotë se kishte fatin të ishte nxënës i tij. Bëhet fjalë për Nazim Bllacën, i cili më vonë u dyshua për spiunazh në Kosovë, për llogari të Serbisë. Në libër, autori tregon se ka biseda të papublikuara më herët.
“Jam munduar ta përmbledhë në dy aspekte, kujtime personale të takimeve që i kam pasur me të, sepse të njëjtin e kam pasur edhe arsimtar të gjeografisë për katër vite. Pjesa e dytë e asaj është komunikimet e tiij elektronike, të cilat pata siguru diku në një material prej 15 GB, ku shihen gjashtë emaila të tij…”, deklaroi ndër të tjera ai për Klan Kosovën.
Në librin 230 faqësh, Duriqi ka përmendur dhe dhënë argumente edhe për biseda që kishte personalisht me Bllacën. Madje ai, në mirëbesim ia kishte dhënë edhe password-in e emailit të vet në atë kohë.
Përveç tjerash, në përmbajtjen e librit ka edhe materiale të tjera, që lidhen me figura të rëndësishme politike në Serbi dhe lidhjet që pati protagonisti Bllaca ndër vite.










