Vdekja e dyshimtë e 27-vjeçarit, Agon Zejnullahu në duart e policisë në Lipjan ka tronditur mbarë opinionin publik.
Pamjet e publikuara dje dhe sot shfaqin të ndjerin të shtrirë në tokë, ndërsa pesë zyrtarë policorë ndodheshin mbi trupin e tij, duke tentuar ta arrestonin.
Në lidhje me këtë rast, Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi deklaroi për Klankosova.tv se rasti i Agon Zejnullahut ngjall kujtime të dhimbshme dhe paralelizma me atë të Astrit Deharit, pasi, siç thotë ai, të dy kanë humbur jetën nën përkujdesjen e shtetit.
I pari në duart e policisë e i dyti në një qendër korrektuese, shtoi Miftari.
“Agon Zejnullahu njejtë sikurse Astrit Dehari ka gjetur vdekjen në dorë të shtetit. Përderisa i pari në duar të policisë, i dyti në një qendër korrektuese. Fatkeqësisht, partia në pushtet qytetarët e Kosovës po i ndan në votues apo përkrahës të saj dhe qytetarë të tjere. Nëse vet VV me të drejtë kishte kërkuar sqarimin e rrethanave të vdekjes së Deharit, në rastin e Zejnullahut po hesht, që dëshmon zbatimin e standardeve të dyfishta dhe joparimore”, tha Miftaraj për Klankosova.tv
Tutje, ai thotë se Policia e Kosovës meriton besimin e publikut dhe qytetarëve, dhe se sjelljet e disa policëve nuk duhet të zbehin besimin e publikut në këtë institucion.
Ndërkaq sa i përket trajnimit të policëve të rinj, Miftaraj thotë se problemet brenda këtij institucioni kanë filluar nga koha kur, siç thotë ai, qeveria ka reduktuar kohën e stërvitjeve në tre muaj që sipas tij, është shumë kohë e shkurtër për të siguruar një polici profesionale.
“Problemet në Policinë e Kosovës kanë filluar nga koha kur qeveria ka reduktuar kohën e trajnimit në tre muaj që është shumë kohe e shkurtë për të siguruar një polici profesionale. Dhe për këtë faturën duhet ta paguaj Kryeministri Kurti dhe Ministri i Punëve të Brendshme. Një dorëheqje morale nga ministri Sveçla do duhej të ishte minimumi i një ministri që interesin e publikut e vë në dorë të parë para interesave personale dhe partiake”, tha Miftaraj për Klankosova.tv.
Pak më parë, për rastin, më në fund ka reaguar edhe ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, i cili përmes një postimi në Facebook, u shpreh i prekur nga lajmi për vdekjen e këtij qytetari dhe u shprehu ngushëllime familjarëve të tij.
Ai tha se ka kërkuar angazhim urgjent dhe profesional nga Inspektorati Policor i Kosovës si dhe bashkëpunim të plotë të Policisë së Kosovës gjatë këtij hetimi. “Në kuadër të kësaj, hetimet tashmë janë duke u zhvilluar me intensitet maksimal”, tha ai.
Ndërkaq pesë zyrtarët policorë janë suspenduar dhe të njëjtit janë ndaluar për 48 orë me urdhër të Prokurorit të Shtetit.