Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, tha se pas dy aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese gjithçka është e qartë.
Në intervistë për Ekonomia Online, Miftaraj tha se tani mbetet në dorën e Lëvizjes Vetëvendosje nëse do ta bëjë konstituimin e Kuvendit për t’i hapur rrugë formimit të qeverisë ose do të vazhdojë bllokimin e këtij procesi.
“Prej kohës kur është bërë certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve të 9 shkurtit të këtij viti dhe tanimë pas dy aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese besoj që gjërat tani janë shumë të qarta. Është në dorën e VV-së nëse kanë vullnet politik për të bërë konstituimin e Kuvendit për t’i hapur rrugë pastaj formimit të qeverisë ose për të bllokuar tërë këtë proces. Ne tanimë e kemi të qartë se nëse nuk ka një marrëveshje politike ose nëse nuk ka një konsensus brenda VV-së për të proceduar përpara emra, të cilët janë të pranueshëm qoftë për PDK-në, qoftë për AAK-në apo për partitë e tjera të komuniteteve jo shumicë, pothuajse do të thotë është e pamundur që të dërgohen përpara emrat, të cilët në njëfarë mënyre në mënyrë të njëanshme është duke i propozuar VV-ja”, tha Miftaraj.
Ai tha se mungesa e transparencës në propozimet e fundit e bën të duket se Vetëvendosje ka më shumë interes për bllokadë sesa për konstituimin e Kuvendit.
“Tash nëse VV-ja do të kishte vullnet të bëhet konstituimi i Kuvendit nga 48 deputetët që i kanë marrë mandatin e deputetit nga VV-ja së paku 30 apo 40 prej tyre në njëfarë mënyre e kanë edhe pëlqimin e partive të caktuara opozitare. Kështu që propozimi i Albulena Haxhiut dhe Donika Gërvallës pa një konsultim paraprak dhe pa një informim paraprak, me një mungesë të theksuar të transparencës, njëfarë mënyre të jep përshtypjen që VV-ja më shumë ka interes bllokadën sesa konstituimin e Kuvendit, për t’i hapur rrugë formimit të qeverisë”, u shpreh ai.