Dhjetëra militantë të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) do t’i dorëzojnë armët e tyre në një ceremoni në pjesën veriore të Irakut të premten, duke shënuar një hap të parë simbolik por domethënës drejt përfundimit të kryengritjes së vjetër me dekada me Turqinë.
PKK-ja, e përfshirë në konflikt me shtetin turk dhe e shpallur ilegale që nga viti 1984, vendosi në maj të këtij viti që të shpërbëhej, të çarmatosej dhe t’i jepte fund përpjekjes së vet të armatosur pas një thirrjeje publike për të vepruar kështu nga udhëheqësi i saj i burgosur për një kohë të gjatë, Abdullah Ocalan, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Pas një vargu të përpjekjeve të dështuara për paqe, nisma e re mund t’ia hapë rrugën Ankarasë që t’i japë fund një kryengritjeje që ka lënë të vrarë më shumë se 40 mijë njerëz, ka qenë barrë për ekonominë dhe ka nxitur përçarje të thella sociale e politike në Turqi e në rajon.
Rreth 40 militantë dhe një komandant i PKK-së pritet që t’i dorëzojnë armët e tyre në ceremoninë që do të mbahet në qytetin verior irakian, Sulaymaniyah, thanë disa persona të afërt me planin. PKK-ja e ka bazën në pjesën veriore të Irakut, pasi u shty dukshëm përtej kufirit turk viteve të fundit.
Armët e dorëzuara pritet që më vonë të shkatërrohen në një ceremoni tjetër, në të cilën do të marrin pjesë figura turke dhe irakiane të inteligjencës, zyrtarë të qeverisë rajonale kurde të Irakut dhe anëtarë të lartë të partisë pro-kurde turke, DEM – e cila gjithashtu ka luajtur rol kyç në lehtësimin e vendimit të PKK-së për t’u çarmatosur.
PKK-ja, DEM-i dhe Ocalani gjithashtu i kanë bërë thirrje qeverisë së presidentit turk, Rexhep Erdogan, që t’i adresojë kërkesat politike kurdë. Në një video të rrallë që u publikua të mërkurën, Ocalani gjithashtu i bëri thirrje Kuvendit të Turqisë që të themelojë një komision për ta mbikëqyrur çarmatosjen dhe për ta menaxhuar procesin më të gjerë të paqes.
Ankaraja ka bërë hapa drejt themelimit të këtij komisioni, ndërsa DEM-i dhe Ocalani kanë thënë se nevojiten garanci ligjore dhe mekanizma të caktuar për ta lehtësuar tranzicionin e PKK-së drejt politikës demokratike.