Ministria e Industrisë, Tregtisë, Ndërmarrësisë dhe Inovacionit (MINTI) njofton opinionin publik se sot ( e mërkure), në mëngjes, në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK) kanë qenë të pranishme njësitë policore për krime ekonomike, në kuadër të hetimeve që po zhvillohen lidhur me një rast që ka të bëjë me ndryshimin e pronësisë së një biznesi pas ndërrimit të jetës së pronarit.
Ju njoftojmë se, pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe vendimeve gjyqësore relevante, stafi i ARBK-së ka konstatuar muaj më parë se kishte ndodhur një keqinterpretim i një aktgjykimi gjyqësor. Si rrjedhojë, ky interpretim është korrigjuar përmes procedurave përkatëse ligjore dhe administrative.
Ministria dhe Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve mbeten plotësisht të përkushtuara për bashkëpunim me organet e rendit dhe drejtësisë, me qëllim të zbardhjes së plotë të rastit.
Njëkohësisht, sigurojmë qytetarët e Republikës së Kosovës se institucionet janë duke punuar me vëmendje të shtuar në ngritjen dhe avancimin e sistemeve brenda ARBK-së, me qëllim rritjen e transparencës, saktësisë së informacionit dhe sigurisë juridike për të gjithë qytetarët dhe bizneset që regjistrohen apo kryejnë ndryshime në këtë institucion.
MINTI do të vazhdojë të informojë opinionin publik për çdo zhvillim të mëtejmë lidhur me këtë çështje.









