MPB njofton për regjistrimin e dokumenteve të lindjes, martesës dhe vdekjes nga institucionet jolegale serbe
Ministria e Punëve të Brendshme ka bërë të ditur se qytetarët e Republikës së Kosovës, të cilët kanë dokumente të regjistruara deri më 15 mars 2026 në institucionet jolegale paralele serbe, do të mund t’i regjistrojnë këto fakte në Regjistrin Civil të Kosovës.
Ky proces do të zgjasë tre (3) muaj dhe ka për qëllim integrimin e të dhënave të lindjes, martesës dhe vdekjes në sistemin zyrtar të Kosovës. Ministria do të nxjerrë të gjitha aktet administrative të nevojshme për të mundësuar këtë regjistrim.
Gjithashtu, MPB ka bërë të ditur se do të njoftojë vendimet për njohjen e përkohshme të kartave të identitetit të lëshuara nga strukturat jolegale serbe. Këto dokumente do të përdoren vetëm për qëllime identifikimi dhe në përputhje me ligjin në fuqi.
Ministria thekson se ky hap ka për qëllim rregullimin ligjor të gjendjes civile të qytetarëve dhe lehtësimin e integrimit të tyre në sistemin zyrtar të Kosovës.
Kurti lëshon pe
Kosova dhe BE-ja të shtunën janë pajtuar që Ligji për të huajt, i cili fillon të implementohet nga nesër, do të zbatohet me disa masa përmbajtjesore shtesë.
Këto masa kanë të bëjnë me regjistrimin e banorëve serbë të Kosovës dhe personave me leje qëndrimi të përkohshëm.
Kjo ujdi është arritur dje në takimin që kryeministri Albin Kurti ka pasur me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Peter Sorensen.
Pas takimit, shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav, ka dhënë detaje për këtë ujdi.
“Jemi përqendruar për zbatimin e ligjit për të huajt, që do të fillojë nga nesër. Kemi pasë bisedime intensive me Qeverinë e Kosovës gjatë javëve të fundit dhe sot është arritur pajtimi zbatimit të Ligjit mbi të Huajt me disa masa përmbajtjesore shtesë, sidomos kur bëhet fjalë për regjistrimin e banorëve serbë të Kosovës dhe personave me leje qëndrimi të përkohshme”, ka thënë diplomati i BE-së.
Më pas, emisari i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Peter Sorensen, ka përshendetur gatishmerinë e Kurtit që t`u ofrojë lehtësira të përkohshme qytetarëve serbë në zbatimin e këtij ligji.
Ai ka deklaruar se Kurti është zotuar të amendamentojë këtë ligj.
“Kemi parasysh përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për integrimin e institucioneve të Kosovës për përfshirjen e komuniteteve në harmoni me zotimet që kanë dalë nga marrëveshjet e ndryshme me BE-në dhe për zotimin e Kurtit për amendamentimin e ligjit për të mos e ndërprerë ofrimin e shërbimeve në suaza të kornizës ligjore që ekziston. Të gjitha këto ndryshime ligjore kërkojnë kohë. Përpjekjet duhet të jenë përfshirëse dhe të konfirmohen në harmoni me të gjitha marrëveshjet e dialogut”, ka thënë Sorensen.
Sipas tij, prioritet kyç është që të sigurohen leje për punëtorë dhe studentë për një periudhë fillestare prej 12 muajve.
“Prioriteti kyç është që të sigurojë leje për punëtorë dhe studentë për një periudhë fillestare prej 12 muajve në mënyrë që të mos pengohet ofrimi i shërbimeve shëndetësore dhe arsimore, të sigurohet vazhdimësia e shërbimeve dhe për këtë duhet të lejohet njohja e letërnjoftimeve deri në vitin 2026 dhe në të njëjtën kohë Qeveria e Kosovës duhet t’i regjistrojë individët të cilët në harmoni me ligjin e Kosovës dhe me statusin e tyre civil”, është shprehur ai.
Kurse, kryeministri Albin Kurt ka treguar se procesi i zbatimit të Ligjit për të Huajt dhe për Automjete do të bëhet në koordinim me emisarin special të BE-së, Peter Sorensen.
Në adresimin e tij në konferencën për media, ai ka Qeveria do të pajiset nga krerët lokalë të komunave me shumicë serbe me listat e stafit shëndetësore dhe akademik që janë të angazhuar në Kosovë.
Më pas, sipas tij, Ministria e Punëve të Brendshme do t’i pajisë ata me lejet e përkohshme.
“Qeveria do të pajiset nga krerët lokalë me lista të stafit shëndetësor dhe akademik që janë të angazhuar në ofrimin e këtyre shërbimeve. Lista që do shërbejnë si bazë për dhënien e lejeve të përkohshme të qëndrimit për qytetarët e huaj që aplikojnë në MPB. E njëjta vlen edhe për studentët e huaj që qëndrojnë në Kosovë, për të cilët krerët komunale do ofrojnë listën e plotë. Këtyre studentëve MPB do ju ofrojë leje të përkohshme qëndrimi për 12 muaj me mundësi vazhdimi”, ka thënë Kurti.
Ndër të tjera, shefi i qeverisë ka treguarpër lehtësirat tjera që Qeveria do të ofrojë.
“Qeveria po ashtu do hap një dritare të re 3-mujore për të mundësuar qytetarëve serbë të regjistrojnë faktet civile që deri më 15 mars 2026 janë regjistruar nga strukturat ilegale. Në këtë periudhë aplikantëve do u lejohet përdorimi si mjet identifikimi i ID kartës të lëshuar nga strukturat jolegale”, është shprehur ai./Nacionale














