Në mbledhjen e sotme të Qeverisë është miratuar edhe projektligji për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor.
“Një nga iniciativat më të rëndësishme për të ardhmen e shëndetësisë në vendin tonë, projektligjin për sigurimin detyrueshëm në kujdesin shëndetësor, është me rëndësi të veçantë. Ky ligj vjen pas një periudhe të gjatë diskutimesh, janë analizuar me kujdes sfidat që ka sistemi ynë shëndetësor, janë studiuar praktikat ndërkombëtare për të krijuar një ligj që i përgjigjet nevojave të qytetarëve tanë, dhe një ligj që do jetë i zbatueshëm për realitetin tonë ekonomik dhe social. Pas mbi 10 vjetësh, ky projektligj përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt krijimit të një sistemi të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës të sigurimeve shëndetësore. Me këtë ligj themelohet fondi i sigurimit detyrues shëndetësor të Republikës së Kosovës. Funksioni dhe financimi i këtij fondi, me projektligjin për sigurimin detyrues të kujdesit shëndetësor, do të rregullojë çështjet si në vijim: ky ligj e përfshin gjithë popullatën, duke siguruar qasje universale në shërbimet shëndetësore, si dhe ngritjen e cilësisë. Ky ligj krijon bazë për zhvillimin e mekanizmave të financimit në sistemin shëndetësor, mbulimin universal të shëndetit dhe të zvogëlojë varfërinë dhe pabarazinë të shkaktuar nga shërbimet shëndetësore, duke siguruar qasje universale për të gjithë banorët”, tha ministri Vitia.











