Kuvendi i Kosovës ka aprovuar në shqyrtimin e parë Projektligjin për ndarjet buxhetore për vitin 2026.
Pro miratimit votuan 66 deputetë, 32 ishin kundër, ndërsa 5 abstenuan.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, deklaroi se të hyrat buxhetore parashihen të jenë 3.64 miliardë euro, ndërsa diferenca e shpenzimeve do të mbulohet përmes huamarrjes ose deficitit buxhetor.
Nga ana tjetër, kryeministri Albin Kurti theksoi se ky është një buxhet me karakter zhvillimor.
Partitë opozitare e kundërshtuan mënyrën e procedimit, duke akuzuar Qeverinë për nxitim dhe shmangie të rregullores gjatë votimit, si dhe duke pretenduar se buxheti nuk përfshin zotimet e paraqitura në ekspozenë e kryeministrit.












