Në kuadër të Forumit të Sigurisë së Mynihut, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, zhvilloi një takim me Drejtorin e Përgjithshëm të Mercedes-Benz, Dennis Kinzelmann, dhe Drejtorin e Shitjeve për sektorin e mbrojtjes, Daniel Zittel.
Takimi përfundoi me nënshkrimin e një kontrate trevjeçare për furnizimin e Ministrisë së Mbrojtjes me kamionë taktikë.
“Ky partneritet strategjik dëshmon angazhimin e Ministrisë së Mbrojtjes për të ndërtuar bashkëpunime të qëndrueshme me prodhuesit liderë ndërkombëtarë në industrinë e mbrojtjes, me qëllim rritjen e standardeve të sigurisë, ndërveprueshmërisë dhe gatishmërisë operative”, njofton Ministria e Mbrojtjes.
Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt modernizimit të flotës ushtarake dhe forcimit të kapaciteteve operative të Ushtrisë së Kosovës.
“Bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes dhe Mercedes-Benz konkretizohet përmes kontratës trevjeçare për furnizimin me kamionë taktikë”, theksohet në njoftim.
Ky zhvillim pasqyron strategjinë e Kosovës për të forcuar lidhjet me partnerët ndërkombëtarë dhe për të siguruar pajisje moderne dhe të qëndrueshme për operacionet ushtarake.














