Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliaj, ka thënë se mos-rritja e çmimit të energjisë elektrike për pjesën veriore të Kosovës, është pikërisht veprimi që e duan popullistët e autoritarët.
Sipas Molliqajt, ky vendim do të krijojë edhe më shumë ndasi të cilat më pas mund të krijojnë përplasje e konflikte të reja ndëretnike.
Përmes një reagimi në Facebook, Molliqaj e ka cilësuar vendimi e ZRrE-së dhe Elektroserverit si një autonomi në fushën e energjisë elektrike, çfarë sipas tij është edhe logjikë e Asosacionit.
Kreu i PSD-së ka shtuar se vendime të tilla e rrisin nacionalizmin, të cilin pushtetarët do ta përdorin për të “zgjidhur” konflikte të cilat i shkaktojnë vet.
Postimi i plotë:
Rryma që vjen me tension të lartë
Rryma nuk shtrenjtohet në katër komunat veriore. Këtë e konfirmoi dje ZRrE-ja. Bashkë me këtë lajm na u konfirmua paralajmërimi që çdo marrëveshje e pjesshme që bëhet mbi vija etnike, do të sjellë e mirëmbajë hendek edhe më të madh ndëretnik brenda Kosovës.
Autonomia në fushën e energjisë është logjika e Asociacionit, ekonomia e tij. Zbatimi i tij na i jep të njëjtat rezultate në të gjitha fushat e jetës. Në simbole, në arsim e shëndetësi, në kulturë e siguri. Do të kemi pra, dy lloje qytetarësh e realitetesh.
Këto lloj marrëveshjesh, në emër të integrimit do të sjellin më shumë ndarje. Kjo është krejt çka duan popullistët e autoritarët. Këto ndasi nuk ndihmojnë të jetojmë bashkë, përkundrazi, këto ndasi vetëm krijojnë përplase e konflikte ndëretnike.
E konflikti është krejt çka lypet nga pushteti andej e këndej kufirit. Ai e rritë nacionalizimin, të cilin këta pushtetarë do ta përdorin për të “zgjidhur” konflikte të cilat i shkaktojnë vet. Krejt logjika e dialogut, që kulmon me draftin e Asociacionit, ka krijuar dhe do të krijojë ndarje të reja për çështje të reja. Kështu kufijtë nuk do të shemben, veç do të forcohen.
Nuk ka asnjë kuptim të mbajmë bashkë shoqëri që nuk po duan të jetojnë me njëra tjetrën. Prandaj ripërcaktim i kufijve do të hapte mundësi të reja të bashkëpunimit rajonal të Kosovës e Serbisë si dy vende të barabarta.