Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) kundër Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe kandidatit të saj për kryetar të Skenderajt, Sami Lushtaku.
LVV kishte pretenduar se Lushtaku kishte bërë thirrje për dhunë gjatë një interviste televizive, por PZAP vlerësoi se deklarata e tij nuk përbën shkelje të Kodit të Mirësjelljes dhe se nuk ishte e drejtuar ndaj ndonjë kandidati apo subjekti politik.
Në vendimin e datës 17 shtator 2025 të siguruar nga “Front Online”, PZAP thekson se fjalia e Lushtakut “Unë mendoj që qytetarët e këtij vendi duhet me dalë në rrugë, me protestu e me kërku përgjegjësi ndaj atyre që nuk e respektojnë Kushtetutën” nuk mund të interpretohet si nxitje për dhunë, por si thirrje për reagim qytetar.
Paneli konstatoi se pretendimet e LVV-së nuk ishin të mbështetura me prova të qarta dhe rrjedhimisht e hodhi poshtë ankesën si të pabazuar.
Vendimi i PZAP-it mund të ankimohet në Gjykatën Supreme brenda 48 orëve nga pranimi i tij.