Trajneri Jose Mourinho ka folur për mediat në prag të ndeshjes çerekfinale të Kupës së Portugalisë ndaj Portos, e cila do të luhet në stadiumin “Dragao”.
Tekniku portugez theksoi se qasja dhe stili i tij i punës do të mbeten të pandryshuara, pavarësisht rrethanave. Trajneri i Benficës e bëri të qartë menjëherë rëndësinë e madhe që ka kjo përballje.
“Një fitore do të thotë kualifikim në gjysmëfinale, ndërsa një humbje do të thotë që Porto kalon më tej dhe ne eliminohemi. Nëse fitojmë, kthehemi në shtëpi të lumtur; nëse humbasim, do të kthehemi me të njëjtin mentalitet që kemi pasur edhe ditët e fundit, por gjithmonë me gatishmëri për të vazhduar punën”, u shpreh Mourinho.
“Special One” foli gjithashtu për marrëdhënien me dhomën e zhveshjes dhe për polemikat që janë krijuar rreth Benficës pas humbjes së fundit.
“I dua këta lojtarë, por nuk mund të gënjej. Nuk mund të them se kemi luajtur mirë kur kemi luajtur keq. Kam arritur këtu duke qenë Mourinho dhe do të vazhdoj të jem i tillë deri në fund”, përfundoi ai.










