Një kompani e papërgjegjshme, e cila ua kishte dëmtuar e madje edhe ua kishte humbur mërgimtarëve pasaportat, është angazhuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që t’i bartë materialet votuese nëpër vendvotime në ambasadat e Kosovës në mbarë botën dhe kthimin e fletëvotimeve në Kosovë.
Mbi 100 mijë shtetas që jetojnë jashtë vendit mund të votojnë për zgjedhjet parlamentare nga 9 janari deri më 9 shkurt, kur ato do të zhvillohen në Kosovë. Afro 105 mijë qytetarë në diasporë janë regjistruar për të votuar.
Për bartjen e votave të tyre është angazhuar kompania “AL Dushi SH.P.K”, të cilës Ministria e Punëve të Jashtme pak kohë më parë ia kishte shkëputur kontratën pasi ajo s’i kishte respektuar obligimet kontraktuale për dërgimin e postës diplomatike jashtë vendit. 406 pasaporta, 165 letërnjoftime dhe 4 vendime për shtetësi nuk kishin shkuar në destinacion.
Ministria e Punëve të Jashtme madje i ka kërkuar Organit Shqyrtues të Prokurimit më 24 dhjetor të vitit të kaluar që kjo kompani të futet në listë të zezë dhe të mos marrë pjesë në procese tenderuese për një vit.
MPJ sipas gazeta express, arsyetonte se përkundër vërejtjeve të njëpasnjëshme për vonesat e dorëzimit të dërgesave, ankesave nga ambasadat dhe misionet diplomatike të vendit, kompania nuk është ndalur në papërgjegjshmëri dhe se po i vuajnë ende pasojat e kësaj papërgjegjshmërie.
”Si Autoritet jemi detyruar që këto dërgesa ti dërgojmë me kapacietet tona nga MPJD duke ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për të garantuar vijueshmërinë dhe sigurinë e bartjes së Postës Diplomatike. Bashkangjitur gjeni të gjitha dëshmitë për Ankesat, Vërejtjet dhe Rekomandimi për shkëputje bazuar në Nenin 72.1 dhe 72.2 i Rregullores per Prokurim Publik nga Menxheri i kontratës”, thuhet në kërkesën e Divizionit të Prokurimit Publik të MPJ-së.
“OE-ik ka deklaruar qe dërgesat do të kryhen sipas kushteve të kontratës por ka dështuar në implemtimin e kushteve te kontrates duke mos pasur kapacitete të mjaftueshëme për te kryer shërbimet sipas kushteve të kontrates dhe respektimin e afateve të dërgesave, prandaj Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, kërkon nga OSHP zbatimin e nenit 99.2 për arsye se OE ka paraqitur te dhëna te rreme me rastin e dorëzimit te ofertës kur se bashku me oferte ka dorëzuar Deklaratën nen Betim ne te cilën deklarate OE deklaron se i përmbush kushtet e përshtatshmërisë”, thuhet në kërkesë.
Përveç që s’i ka marrë për bazë këto, KQZ-ja ka vendosur që tenderin për kryerjen e shërbimeve postare të votimeve jashtë vendit t’ia japë kësaj kompanie, oferta e së cilës ishte dy herë më e lartë.