Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka reaguar pas thirrjeve të gruas së ish-pjesëtarit të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, Arbnor Spahiu, i cili u arrestua në Serbi më 7 qershor 2025.
MPJD njofton se përmes Zyrës Ndërlidhëse në Beograd po ndjek me vëmendje të shtuar zhvillimet rreth arrestimit të Spahiut dhe ka informuar trupin diplomatik, duke mbajtur komunikim të rregullt me ambasadën gjermane, pasi Spahiu jeton dhe ka qëndrim të rregullt në Gjermani.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, përmes Zyrës Ndërlidhëse në Beograd, ka njoftuar për rastin misionet diplomatike të vendeve të Quint-it të akredituara në Beograd, dhe të gjithë Trupin diplomatik në Kosovë. Në mënyrë të veçantë, po mbahet komunikim i rregullt me Ambasadën e Republikës Federale të Gjermanisë, duke marrë parasysh se z. Spahiu ka qëndrim të rregullt në Gjermani,” thuhet në reagimin e MPJD-së.
Spahiu u arrestua në pikën kufitare ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë, teksa po udhëtonte me autobus së bashku me familjen nga Austria. Më 9 qershor, ai iu nënshtrua masës së paraburgimit prej 30 ditësh nga Gjykata e Qarkut në Suboticë.
Familjarët dhe avokati i tij e konsiderojnë të pabazuara dhe të fabrikuara akuzat lidhur me rastin e Banjskës, duke theksuar se Spahiu ka përfunduar shërbimin në Policinë e Kosovës që nga viti 2022 dhe jeton në Gjermani me familjen.
“Ambasadori Jashari bashkë me avokatin e angazhuar nga familjarët e Spahiu, Arianit Koci, do të udhëtojnë më 11 qershor, në Suboticë, ku do të takohen me avokatin e dytë të caktuar sipas detyrës zyrtare.”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.
“Përveç kësaj, Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi ka dorëzuar menjëherë kërkesë zyrtare për lejimin e vizitës së Ambasadorit Jetish Jashari tek z. Spahiu në Qendrën e Paraburgimit në Suboticë. Vizita pritet të realizohet në ditët në vijim, sapo të miratohet nga autoritetet përkatëse.”
MPJD ka theksuar se “Republika e Kosovës do të vazhdojë të shfrytëzojë të gjitha kanalet diplomatike në dispozicion për të siguruar që kjo padrejtësi e radhës ndaj një shtetasi të Republikës së Kosovës të marrë fund, dhe që z. Spahiu të lirohet sa më parë.”