Fatkeqësisht, procesi i zgjedhjes së Presidentit të Kosovës ka dështuar tashmë.
Sot është afati i fundit dhe nuk ka emër, nuk ka propozim zyrtar, nuk ka marrëveshje, nuk ka transparencë, nuk ka dialogim, ska demokraci.
Kjo temë është aktive më shumë se një vit. Një vit kohë për me organizu një proces serioz, të hapur e kredibil. Një vit për me nxjerrë më të mirën për vendin.
Megjithatë, asgjë… dështim.
Nuk u zhvillua asnjë proces i mirëfilltë konsultimesh ndërpartiake që do të gjeneronte 2-3 kandidatë kredibil me peshë kombëtare dhe do i jepte më të mirën këtij vendi.
Nuk u prezantua asnjë emër për debat publik. Nuk pati transparencë, nuk pati guxim politik për me ndërtu konsensus. Erdhëm në ditën e fundit me mjegull, pasiguri dhe heshtje.
Edhe nëse eventualisht zgjedhet dikush në këtë mënyrë e qasje kishte me qenë dështim, se procesi dhe vendim-marrja nuk ka kredibilitet më.
Ky është një mosrespekt i radhës nga politika ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj.
Përgjegjësia kryesore bie mbi ata që kanë më shumë pushtet dhe më shumë vota dhe prej të cilëve varet ky proces.
LVV, me 66 mandate në Kuvend, ka pasur përgjegjësinë primare për me organizu një proces të shëndoshë dhe për me ia dhënë Kosovës opsionin më të mirë të mundshëm. Kjo nuk ndodhi, mbase qëllimisht.
Ky dështim është kryesisht rezultat i mungesës së vullnetit për bashkëpunim.
Mungesës së kulturës politike demokratike. Mungesës së gatishmërisë për kompromis dhe për ndërtim të një konsensusi të gjerë. Uniteti nuk ndërtohet me imponim.
Dëshira për kontroll absolut dhe koncentrim pushteti ka prodhuar edhe këtë situatë të re pasigurie. Një vazhdimësi e krizave që kemi parë gjatë vitit 2025, një episod i ri i normalizimit të krizës dhe tensioneve institucionale si metodë qeverisjeje.
Është për keqardhje me pa një figurë që dikur fliste për liri, demokraci e vlera perëndimore, të shndërrohet gradualisht në simbol të centralizimit ekstrem të pushtetit.
Demokracia kërkon ndarje pushteti, kërkon bashkëpunim, kërkon dëgjim. Nuk është projekt personal. Mbi të gjitha, është kompromisi që na mundëson me ec përpara bashkë.
Nuk është e shëndetshme për një shoqëri që mbi 50% e votës të përqendrohet tek një parti dhe praktikisht tek një njeri, pa mekanizma real balancues. E kur vendimmarrja reduktohet në një qendër të vetme, në një person, demokracia fillon të ngushtohet.
Dhe kur vendimet merren nga një njeri e jo nga “ne”, nga shumica, nga dialogu, bashkëpunimi, kompromisi e konsusi.. atëherë nuk jemi më në territorin e demokracisë funksionale. Jemi në prag të autokracisë.














