Njohësi i çështjeve politike, Shenoll Muharremi ka reaguar pas sulmeve të deputetit të Guxo-s, Nezir Kraki ndaj gazetarit të Nacionales, Xhezair Dashi, si dhe bullizimit që iu bë deputetit Paris Guri sot në Kuvendin e Kosovës.
Ai ka përmendur Listën Guxo dhe Alternativën, duke thënë se këto subjekte po sulmojnë gazetarë e po bullizojnë politikanë derisa kanë zero përkrahje.
“Sot kam lexu se si një deputet i Guxo ka pasur sjellje të një sikur të një mafiozi, e jo deputeti, me një gazetar të respektuar. E gjithashtu një deputete e Alternativës e ka bulizuar një deputet të ri kreativ.
Këto raste janë për të ardhur keq, për shkak se ne duhet me i përkrahë dhe stimulu transparencën dhe gazetarinë hulumtuese, sidomos kur je deputet, e gjithashtu duhet e i përkrahë zërat e reja kreative potencial në Kuvend” – ka thënë ai.
Muharremi ka theksuar se Guxo dhe Alternativa nuk e kanë kaluar kurrë përkrahjen prej 1.3 për qind.
“Lista GUXO dhe Alternativa, kurrë nuk e kanë kaluar përkrahjen prej 1.3% në matje si kulm apo tavan maksimal, ndërsa regjistrojnë një mesatare vitet e fundit që tregon për vetëm 0.46 për Guxo e vetëm 0.3% përqind për Alternativën.
Me këto vlera e këtë përkrahje ata duhet me pas një kujdes të jashtëzakonshëm se munden asnjëherë mos me qenë më pjesë e Kuvendit në të ardhmën. Në fakt e vetmja arsye pse ata janë tani në Kuvend është fakti se janë pjesë e një partie të madhe” – ka shkruar tutje ai.