Njohësi i politikave ekonomike, Shenoll Muharremi ka thënë se qeveria në detyrë dhe institucionet publike po i godasin bizneset e veta, dhe siç tha ai me “sadizëm” po e ndëshkojnë ekonominë e vet.
Kësisoj ai ka komentuar përmes një postimi në Facebook vendimin e fundit të ZRRE-së për tregun e lirë të energjisë elektrike.
“Një ditë vikendi në dhjetor, para zgjedhjeve nacionale, Qeveria e Kosovës, pa paralajmërim e pa planifikim, vendosi me i nda shtesat nga 100 euro ku përfituan deri 700,000 persona. Besoni ose jo, kostoja e atij vendimi elektoral ishte rreth 70 milionë euro. Efektet ekonomike, rritje e importit dhe deficitit, se 80% dolën jashtë ekonomisë”, shkruan Muharremi.
E sot kur me vetëm me 35 milionë euro (gjysma e atyre dhuratave për vota) sipas tij mundesh me i ndihmu bizneset vendore që përfaqësojnë gjysmën e ekonomisë, qeveria po heziton.
“Fjala është për përjashtimin e papërgatitur të bizneseve nga tregu i lirë i energjisë, ku nuk ka konkurrencë dhe sipas vetë bizneseve, oferta e energjisë është deri 300% më e lartë. Kjo i bën më pak konkurrente produktet vendore, dhe ndikon në rënie të shitjeve, rritje të importeve që kanë kalu 6 miliardë në vit në mallra”.
Kjo sipas Muharremit na qon drejt një dyshimi nëse ndoshta kryeministri në detyrë, nga inat personal dhe urrejtje ideologjike për ata që i quan “obligarkë”, ka vendos me i shkatërru.