Sipas tij, një nga opsionet mund të jetë krijimi i një liste të saj dhe një koalicion parazgjedhor me Lidhja Demokratike e Kosovës, ose rikthimi i drejtpërdrejtë në këtë parti.
“4 prilli është dita kur presidentja Vjosa Osmani do të njihet si ish-presidente e Kosovës, për faktin se Albin Kurti dhe LVV nuk e kandiduan edhe për një mandat. Ajo që është e sigurt, ndonëse e pathënë drejtpërdrejt nga Osmani, është se ajo po përgatitet për një rikthim aktiv në politikë. Këtë, natyrisht, mund ta bëjë ose përmes një liste të saj dhe pastaj te bëjë një koalicioni parazgjedhor me LDK-në, ose duke u rikthyer drejtpërdrejt në LDK”, thotë Muhaxheri.
Ai shton se në LDK po shihen sinjale për një ribashkim të mundshëm me Osmanin.
Mosreagimi i zyrtarëve të LDK-së pas intervistës së saj të fundit, ku ajo pranoi disa nga akuzat e mëhershme të partisë, sipas analistit tregon se asaj mund t’i jetë lënë një derë e hapur për rikthim në LDK.
“Për këtë gjë tashmë po shihen sinjale edhe nga LDK-ja, e cila, si duket, po e përgatit terrenin për një ribashkim të mundshëm me të. Sepse ribashkimi, në çfarëdo forme, kërkon kohën e vet për t’i përgatitur strukturat, sidomos duke pasur parasysh se ka ende prej atyre që nuk ia falin Osmanit dëmin që, ia ka bërë LDK-së gjatë këtyre pesë viteve”.
“Mosreagimi i asnjë zyrtari të LDK-së pas intervistës së Vjosës, në të cilën ajo pranoi shumë nga ato që LDK e kishte akuzuar Osmanin si bashkëpuntore e Kurtit dhe e kishin quajtur presidente të njëanshme, tregon se Vjosa Osmanit po i lihet një derë e hapur në LDK”, tha ai për GazetaBlic.














