Hoxha i njohur nga Drenica, Osman Musliu – i njohur si Mulla Osmani – ka reaguar ashpër ndaj asaj që e ka quajtur “padrejtësi institucionale” ndaj vajzës së tij, e cila, sipas tij, është përjashtuar pa të drejtë nga një konkurs publik në Ministrinë e Mbrojtjes.
Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Musliu ka bërë të ditur se vajza e tij kishte aplikuar për pozitën e psikologes klinike, por dokumentet e saj, siç pretendon ai, janë “fshehur” gjatë procesit të aplikimit.
“Aplikoi në konkursin e hapur nga Ministria e Mbrojtjes për psikologe klinike, ia fshehën dokumentet; pas reagimit tonë na thanë se kishin gabuar, por gjithsesi e eliminuan nga konkursi,” ka shkruar Musliu.
Ai ka shprehur zhgënjim edhe ndaj prokurorisë, duke përmendur dy emra konkretë që, sipas tij, “nuk kanë trajtuar rastin me drejtësi”.













