Mungesa e materialeve për vendosjen e protezave ortopedike ka bërë që shumë pacientë, të cilët është dashur të operohen që nga viti i kaluar, të mbesin “në mëshirë të fatit”.
Procesi i furnizimit me proteza dhe materiale përcjellëse në Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) është përballur me vonesa, pavarësisht se përmes Zyrës së prokurimit është hapur tenderi përkatës. Sipas informacioneve, procedura është zvarritur si pasojë e ankesave të paraqitura nga palë të pakënaqura në organet përgjegjëse.
Në një prononcim për Indeksonlinen, drejtori i Klinikës së Ortopedisë dhe Traumatologjisë Lokomotore në QKUK, dr. Xhavid H. Gashi, ka bërë të ditur se lista e pritjes aktualisht është në proces të përditësimit dhe riorganizimit.
“Lista e plotë e pritjes është aktualisht në proces të përditësimit dhe riorganizimit. Në këtë proces po përfshihen edhe pacientët e vitit 2025, si dhe po bëhet ndarja e tyre sipas rajoneve, në përputhje me modelin e ri të organizimit të shërbimeve”, ka deklaruar Gashi.
Sipas tij, vendosja e protezave tash e tutje nuk do të realizohet vetëm në QKUK, por edhe në spitalet rajonale të Kosovës. Kjo pritet të mundësojë që, menjëherë pas përfundimit të furnizimit me materiale, të gjitha institucionet përkatëse – përfshirë Klinikën e Ortopedisë – të fillojnë paralelisht me ndërhyrjet kirurgjikale.
“Ky organizim pritet të ndikojë ndjeshëm në reduktimin e listës së pritjes. Lidhur me hapat e mëtejmë, do të informoheni me kohë”, ka shtuar ai.
Sa i përket procedurës së furnizimit, Gashi ka sqaruar se planifikimi është bërë pas sigurimit të mjeteve financiare dhe përgatitjes së dokumentacionit përkatës. Megjithatë, gjatë zhvillimit të procedurës janë paraqitur ankesa nga operatorë ekonomikë, çështje që është trajtuar nga organet kompetente.
“Më 11.02.2026, dosja është rikthyer për përmirësime”, ka theksuar ai.
Sipas tij, deri në muajt shtator–tetor 2025, aktivitetet janë zhvilluar sipas planifikimeve të miratuara, ndërsa procesi do të vazhdojë në përputhje të plotë me procedurat dhe afatet ligjore në fuqi.
Ndërkohë, pacientët që presin ndërhyrjet për vendosjen e protezave ortopedike mbeten në pritje të përfundimit të procedurave administrative, me shpresën se furnizimi do të realizohet sa më shpejt dhe operacionet do të rifillojnë pa vonesa të tjera.
Ndryshe ne ueb faqen e prokurimit publik tenderi për furnizimin e materialeve ortopedike është anuluar. Arsyet janë se nuk ka pas ofertues të përgjegjshëm.














