Ish-diplomati amerikan, Cameron Munter, në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, ka thënë se qasja e administratës së re të Shteteve të Bashkuara me vendet e Ballkanit Perëndimor nuk do të jetë në të njëjtën linjë me atë të Bashkimit Evropian.
Sipas Munter, rajoni duhet ta ketë parasysh një gjë të tillë pasi, sipas tij, “nuk do të ketë më një Gabriel Escobar që e mbështet Mirosllav Lajçakun [përfaqësues i posaçëm i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi.”
“Administrata e re në Uashington nuk është mike e Bashkimit Evropian. Donald Trump nuk është dikush që mendon shumë për Bashkimin Evropian. Donald Trump nuk brengoset, ai do marrëveshje. Ai do marrëveshje me Serbinë, me Hungarinë, me Rumaninë… Nuk ka rëndësi. Ai do marrëveshje dhe nuk është strategjik.
Kjo do të thotë se mënyra tradicionale strategjike me të cilën kanë biseduar Bashkimi Evropian dhe gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, nuk është më qëllim i Donald Trumpit. Atij nuk i intereson nëse dikush do të hyjë ndonjëherë në Bashkimin Evropian. Atij i intereson arritja e një marrëveshjeje.
Unë mendoj se njerëzit që jetojnë në rajon, njerëzit që punojnë në rajon, duhet ta kenë parasysh se qasja e deritashme nuk do të funksionojë më – nuk do të ketë më një Gabriel Escobar [ish-i dërguar i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor] që e mbështet Mirosllav Lajçakun [përfaqësues i posaçëm i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi].” – tha Munter.
Me Trumpin President të ShBA-ve, sipas diplomatit amerikan, fokusi do të jetë të problemet me gazin natyror, imigrimin, me investimet.
“Amerikanët nuk do të jenë më pjesë e kësaj. Ata do të thonë: kemi probleme me gazin natyror, me imigrimin, me investimet… Do të na ndihmoni t’i zgjidhim apo jo? Dhe, kështu, Kosova, Serbia, Mali i Zi… të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor mund të jenë pjesë e përgjigjes, në vend se të jenë problemi që BE-ja duhet ta zgjidhë.” – ka thënë ai.