Ministri i Financave nga Lëvizja Vetëvendosje, Hekuran Murati, deklaroi gjatë seancës plenare ku po shqyrtohet Projektbuxheti 2026 se ky buxhet është i përkohshëm dhe emergjent.
Murati tha se gjatë ditës së djeshme në komision janë shqyrtuar të gjitha amendamentet, duke rikujtuar edhe njëherë se miratimi i këtij buxheti është urgjent.
“Gjatë ditës së djeshme në komision kemi shqyrtuar të gjitha amendamentet dhe ajo që mund të them është ta rikonfirmoj atë që e tha edhe deputeti Besnik Tahiri, sapo e tha dhe e kërkoi të konfirmohet. Siç e kemi thënë edhe në fillim, ky është një buxhet i përkohshëm emergjent dhe për këtë arsye ne si Qeveri nuk ua kemi dhënë hapësirën as ministrive që i kanë marrë dikasteret e tyre përsipër që të bëjnë ndryshime, duke konsideruar se nuk kemi shumë kohë për të bërë ndryshimet e nevojshme dhe në mënyrë cilësore, në mënyrë që ato pastaj të mos reflektojnë me probleme gjatë rrugës”, theksoi Murati.











