Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka deklaruar se premtimet për koeficient 150 euro, nga ana e Abdixhikut, është “humor i pashije”.
“Fati e do që me qeverisjen tonë për këto 4 vite kemi pasur rritje ekonomike të qëndrueshme, e cila na ka mundësuar që pagat t’i rrisim për 3 vite radhazi, prejse ka hyrë në fuqi ligji i pagave. Mirëpo fakti se ekonomistët e LDK-së po garojnë me ide e premtime sikurse ato të AAK-së, tregon se ku është katandisur kjo parti” deklaroi Murati.
Ky është postimi i plotë i ministrit të Financave:
Neni 22/C i Ligjit për Financat Publike, i miratuar në vitin 2016 në kuadër të programit që Qeveria Mustafa (LDK-PDK) kishte me FMN-në asokohe, e përcakton që rritja e pagave në një vit fiskal nuk mund të tejkalojë rritjen ekonomike.
Prandaj edhe premtimet për koeficientë 150 euro s’ka se si të konsiderohen ndryshe përveç se si humor i pashije. Sepse rritja e pagave mund të bëhet vetëm aq sa është rritur ekonomia, jo më shumë. Kjo është e përcaktuar qartë në ligj.
Fati e do që me qeverisjen tonë për këto 4 vite kemi pasur rritje ekonomike të qëndrueshme, e cila na ka mundësuar që pagat t’i rrisim për 3 vite radhazi, prejse ka hyrë në fuqi ligji i pagave.
Mirëpo fakti se ekonomistët e LDK-së po garojnë me ide e premtime sikurse ato të AAK-së, tregon se ku është katandisur kjo parti.
Lumiri së paku e ka mundësinë të konsultohet me Deputetin Hoti, i cili ka qenë edhe Ministër i Financave në kohën kur Neni 22/C i Ligjit për Financa Publike ishte miratuar.