Ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se dita e diel do të jetë vendimtare për të parë nëse Lëvizja Vetëvendosje do të arrijë të sigurojë shumicën e nevojshme për formimin e qeverisë së re.
“Të dielën është koha për të parë a janë numrat, unë besoj që përtej numrave që i kemi si lëvizje me 48 deputetëve tanë numrat e deputetëve të komuniteteve jo shumicë 8 prej tyre dhe votës së Rashiqit, shpresoj që do të ketë edhe deputet tjerë që do të reflektojnë edhe do t’i japin përfundimit të kësaj sage kaq të gjatë për votimin e qeverisë”, ka deklaruar ajo në Debat Plus.
Ajo theksoi se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka vendosur standarde të reja politike, duke ndarë qartë procesin e konstituimit të Kuvendit nga votimi i qeverisë.
“Kryeministri Kurti VV-ja në radhë të parë arriti të ndajë qarët konsittuimin e kuvendit edhe votimin e qeverisë si dy institucione të pavarura, pra nuk bëhet më fjalë për pazare për marrëveshje politike. Kurti arriti të vendosë standarde të reja duke mos e bërë Kuvendin institucionin më të lartë të Kosovë të varur nga Lista Serbe gjegjësisht nga Beogradi”, shtoi ajo.