Pas raportimeve në mediat ndërkombëtare se SHBA do të reduktojë trupat e vet në vende të ndryshme të botës, përfshirë edhe Kosovën, NATO në një përgjigje me shkrim për Gazetën Express thekson se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të luajnë një rol themelor në mbështetje të sigurisë së qëndrueshme në të gjithë Kosovën dhe stabilitetit rajonal, duke përfshirë edhe brenda kornizës së misionit KFOR të udhëhequr nga NATO.
Sipas NATO-s, “forca dhe pozicioni i KFOR-it rishikohen dhe përshtaten periodikisht, ndërsa rrethanat evoluojnë, në mënyrë që misioni të mbetet i përshtatshëm për qëllimin, por aktualisht, “nuk ka ndryshime të rëndësishme në shqyrtim”.
“KFOR-i vazhdon të përmbushë mandatin e tij, për të ndihmuar në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të mbrojtur për të gjithë njerëzit në Kosovë, si dhe lirinë e lëvizjes”, rithekson NATO.
“KFOR-i vepron në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë. Prania dhe aktivitetet e përditshme të KFOR-it në të gjithë Kosovën krijojnë hapësirë për dialog politik. Stabiliteti në rajon në fund të fundit varet nga zgjedhja e diplomacisë nga të gjitha palët mbi dhunën. Rruga drejt paqes afatgjatë është politike. NATO vazhdon të mbështesë fuqimisht Dialogun e lehtësuar nga BE-ja si kornizë për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura me respekt për të drejtat e të gjitha komuniteteve”, thuhet tutje në përgjigjen e NATO-s për Gazetën Express.
Ndryshe, lidhur me temën për Gazetën Express nga Pentagoni, kanë thënë se nuk kanë ndonjë ndryshim të strukturës ushtarake.
“Nuk kemi ndryshime në stacionimin e forcës sonë për të njoftuar sot”, ka thënë një zëdhënës i Pentagonit për Gazetën Express.
Siç ka raportuar sot “Politico” SHBA-ja nën udhëheqjen e presidentit Donald Trump po e shtyn NATO-n të shkurtojë shumë nga aktivitetet e saj të jashtme, duke përfshirë edhe përfundimin e një misioni kyç të aleancës në Irak.
Sipas kësaj gazete, SHBA-ja gjithashtu ka lobuar në muajt e fundit për të zvogëluar operacionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë./GazetaExpress














