Marrëveshja e fundme për bashkëpunim ushtarak mes Zagrebit, Tiranës dhe Prishtinës është kthyer në një temë të pëlqyer për zyrtarët në Beograd.
Drejtori i së ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq ka zhvilluar një takim me të Dërguarin e Posaçëm të kryeministrit hungarez për Ballkanin Perëndimor, Zsolt Bunford.
Siç bëhet e ditur nga kjo e ashtuquajtur Zyrë, temat rreth Kosovës e kanë mbizotëruar takimin me diplomatin hungarez.
Me këtë rast, Petkoviq është ankuar se, as pas 12 vitesh pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit, Prishtina nuk e ka themeluar Bashkësinë e Komunave Serbe.
Duke e quajtur veprim të njënashëm mbylljen e strukturave paralele në veri, ai ka thënë se këto institucione do të duhej të ishin themeli për Bashkësinë e Komunave Serbe.
Në bisedë e sipër, Petkoviq i ka përmendur bashkëfolësit hungarez edhe marrëveshjen për bashkëpunim ushtarak mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë.
“[…] Kjo jo vetëm cenon drejtpërdrejtë marrëveshjet ekzistuese për kontroll armësh, por edhe përfaqëson një provokim të hapur ndaj Beogradit dhe popullit serb në Kosovë dhe mund të rezultojë me cenim të sigurisë, paqes dhe stabilitetit rajonal”, citohet të ketë thënë Petkoviq.
Zyrtari serb ka shkuar edhe më larg duke i thënë diplomatit hungarez se, me anë të kurdisjes së votimeve, Prishtina ka zhvleftësuar vullnetin e votuesve serbë në zgjedhjet e sapombajtura.
Sipas tij, Lista Serbe ka shënuar fitore absolute e bindëse, duke fituar të gjitha nga dhjetë vendet e rezervuara për komunitetin serb, por Kurti me anë të makinacioneve i ka marrë një ulëse Listës Serbe dhe ia ka dhënë atë Nenad Rashiqit që “nuk ka legjitimitet për të përfaqësuar popullin serb”.