Në fundjavë do të zhvillohet java e pestë në Prince Caffe Superligën e Kosovës në basketboll.
Kjo javë e sjellë derbin e vjetër, mes Pejës dhe Trepçës, që do të zhvillohet në palestrën sportive “Karagaç” – shkruan Gazeta Express.
Ndeshja do të zhvillohet të dielën, teksa vlen të theksohet se njëra nga këto skuadra do ta shijojë për herë të parë humbjen këtë sezon.
Peja është lidere në tabelë me 8 pikë, me bilanc prej katër fitoreve nga katër ndeshje. Trepça, që ka një ndeshje më pak, është e dyta me 6 pikë.
Java e pestë do të hapet me ndeshjen mes Sigal Prishtinës dhe Bashkimit, që do të zhvillohet të shtunën.
Prishtinasit kanë dy fitore dhe një humbje deri më tani, kurse prizrenasit dy fitore dhe dy humbje.
Të shtunën do të zhvillohet edhe ndeshja mes Rahovecit dhe Ponte Prizrenit.
“Vreshtarët” kanë një fitore dhe tri humbje, kurse skuadra nga Prizreni ka regjistruar dy fitore dhe dy humbje.
Përveç derbit Peja – Trepça, të dielën do të zhvillohet edhe ndeshja mes Golden Eagle Yllit dhe Vëllaznimit.
Kampioni në fuqi është i fundit në tabelë, pasi ka regjistruar katër humbje në katër ndeshjet e para, teksa kundër gjakovarëve do të synojë fitoren e parë.
Ndërkaq, “Kuqezinjtë” kanë një fitore dhe tri humbje.













